Nëntë femra ushtrojnë detyrën e presidentes apo kryeministres në Evropë ndërkaq edhe politika e jashtme e Bashkimit Evropian (BE), udhëhiqet nga një grua, shkruan Anadolu Agency (AA).
Gjermania dhe Britania e Madhe, dy nga vendet më të rëndësishme dhe me popullsi më të madhe në BE udhëhiqen nga femra.
Sipas të dhënave të siguruara nga AA, para 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, aktualisht në 9 vende të Evropës, në ulësen e kreut të shtetit apo të qeverisë, janë femra. Britania e Madhe, Gjermania, Norvegjia, Lituania, Estonia, Rumania, Kroacia, Serbia dhe Malta udhëhiqen nga lidere femra.
Politika e Jashtme dhe e Sigurisë së BE-së udhëhiqet nga Përfaqësuesja e Lartë, Federica Mogherini.
Nga ana tjetër, fakti që tërheq vëmendje është se Spanja, Italia, Suedia, Holanda dhe Hungaria asnjëherë në historinë e tyre nuk janë udhëhequr nga një femër presidente apo kryeministre.
– Merkel, “Zonja e re e hekurt” e Evropës
Fizicientja 64 vjeçare Angela Merkel, e cila cilësohet dhe si “zonja e hekurt”, udhëheq Gjermaninë që nga viti 2005 dhe me rolin pionier në kornizat e BE-së u jep kahe politikave të Unionit.
Merkel, e cila në dhjetor të 2017, fitoi për herë të katërt zgjedhjet në Gjermani ka qenë 12 herë e vendosur në Listën e Forbes si femra më e fuqishme në botë.
Në këtë mënyrë, Merkel la pas dhe Margaret Thatcher e cila ka ushtruar detyrën e kryeministres britanike në periudhën 1979-1990 dhe u bë politikanja e parë në Evropë sa i përket qëndrimit më të gjatë në postin e kryeministres.
– Kandidatja e cila dizajnon të ardhmen e Britanisë
Theresa May, e cila ushtron detyrën e kryeministres në Britani, vend me popullsi më të madhe në Evropë, pas Gjermanisë dhe Francës, është kryeministrja e dytë femër pas Thatcher.
Me udhëheqjen e procesit të ndarjes së Britanisë nga BE (Brexit), May në një mënyrë dizajnon të ardhmen e vendit.
62 vjeçarja May, e diplomuar në Departamentin e Gjeografisë pranë Universitetit Oxford dhe e njohur nga e kaluara e saj si bankiere, detyrën e kryeministres e ushtron që nga 11 korriku i vitit 2016.
– Mogherini, “fytyra” e politikës së jashtme të BE-së
Mogherini, Përfaqësuesja e Lartë e Politikave të Jashtme dhe Sigurisë së BE-së, gjendet në krye të politikës së jashtme të Unionit dhe zë vend në mesin e lidereve femra politikane në Evropë.
45 vjeçarja me origjinë italiane, Mogherini, që nga viti 2014 drejton politikat e jashtme dhe të sigurisë së BE-së ndërsa më herët në Itali ka ushtruar detyrën e ministres më të re të Jashtme.
Mogherini, me përpjekjet e saj në marrjen e rolit ndikues, brenda një kohe të shkurtër u shndërrua në “fytyrën” e politikave ndërkombëtare të BE-së. Nga ana tjetër, mes interesave të ndryshme kombëtare të 28 vendeve anëtare të BE-së, ajo përpiqet të sigurojë harmoni në kontekstin e politikës së jashtme.
E diplomuar në shkenca politike, Mogherini merret edhe me ndërveprimin mes Islamit dhe politikës.
– Lideret femra të Evropës Veriore
Gjithashtu edhe vendet e Evropës Veriore si Norvegjia dhe Estonia udhëhiqen nga femrat.
57 vjeçarja Erna Solberg, kryeministrja e dytë femër e Norvegjisë e cila nga viti 2013 për herë të dytë është e ngarkuar me këtë detyrë, më parë ka tërhequr vëmendje në udhëheqjen lokale sidomos me zhvillimet lidhur me politikat e emigracionit.
Ajo njihet me qëndrimin anti-emigracion dhe mbahet mend për murin e ndërtuar në kufirin me Rusinë, mur ky i cili kishte për qëllim ndalimin e kalimit të refugjatëve në vend.
Nga ana tjetër, 49 vjeçarja Kersti Kaljulaid, presidentja e parë femër e Estonisë, gjigandit evropian të teknologjisë, vjen në pah me politikat e saj liberale.
Kaljulaid, e cila para detyrës së presidentes ka përfaqësuar Estoninë në Gjykatën Evropiane të Auditorëve, është e diplomuar në biologji ndërkaq studimet master i ka mbaruar për Administrim Biznesi.
Sado që në vendin e saj nuk njihet nga njerëzit për detyrën e saj të presidentes, Kaljulaid i jep rëndësi të madhe komunikimit nga afër me qytetarët e Estonisë dhe zhvillimit të dialogut.
– Grybauskaite, “magnolia e çeliktë” e Lituanisë
62 vjeçarja Dalia Grybauskaite, e cila në vendin baltik të Lituanisë për të herë të parë u zgjodh si presidente në vitin 2009 ndërkaq u rizgjodh në vitin 2014, ka tërhequr vëmendjen edhe me kontributin e saj në reformat për buxhetin e BE-së në periudhën kur ushtronte detyrën si anëtare e Komisionit Evropian.
Grybauskaite, epitetin e “magnolies së çeliktë” e mori për shkak të rritjes së ekonomisë në zvogëlim e sipër të Lituanisë dhe për shkak të qëndrimit të saj kundër Rusisë.
– Preca, presidentja “më e re” e Maltas
Poashtu edhe shteti ishullor i Evropës, Malta, që nga viti 2014 udhëhiqet nga një femër e quajtur Marie-Louise Coleiro Preca.
Supozohet se 60 vjeçarja Preca, detyra e së cilës si presidente është deri në vitin 2019, pas përfundimit të mandatit do të kandidohet për kryetare të Parlamentit Evropian.
Preca, presidentja e dytë dhe “më e re” e Maltës merret me politikë që nga mosha 16 vjeçare.
– Lideret femra të Ballkanit
Ndërkohë edhe vendet ballkanike si Rumania, Kroacia dhe Serbia njihen me lideret e tyre femra.
55 vjeçarja Viorica Dancila, e cila kryeministrja e parë femër e Rumanisë u bë në fund të janarit, mori postin në kohën kur raportet me BE-në ishin të tensionuara për shkak të luftës me korrupsionin.
Dancila ka raporte të afërta me Komisionin Evropian pasi që nga viti 2009 ka ushtruar detyrën e deputetes në Parlamentin Evropian.
Kryeministrja serbe, Ana Brnabiç, njihet si kryeministrja e parë femër dhe homoseksuale në vend. Brnabiç e cila detyrën e kryeministres e ushtron që nga korriku i vitit 2017, njihet për qëndrimin e saj pro-evropian.
Nga ana tjetër, presidentja e Kroacisë 50 vjeçarja Kolinda Grabar-Kitaroviç që nga viti 2015, njihet si presidentja e parë femër dhe me moshë më të re e vendit.
E diplomuar në Akademinë Diplomatike të Vjenës ajo më parë ka qenë përgjegjëse për diplomacinë si ndihmëse e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s ndërsa ka qenë edhe ambasadore./AA