Gjatë hetimeve për rastin e Kumanovës asnjëherë nuk u fol për sulmin e ndërmarrë në Goshincë në prill të 2015, vetëm pak ditë para përleshjes së armatosur në Lagjen e Trimave në Kumanovë. Bëhet fjalë për Grupin e Kumanovës që kishte pushtuar karaullën policore në fshatin malor të Karadakut të Kumanovës, ku policët janë rrëmbyer për pak orë dhe se armatimi ishte konfiskuar.
Deri tani nuk ka asnjë reagim apo sqarim nga organet policore, por edhe nga partitë politike. Portali Ohridsky.com dy vite më pare ka publikuar një video ekskluzive për të cilën pretendohet se ka të bëjë me sulmin e armatosur të vitit të kaluar në postën kufitare në Goshincë, për të cilën vepër akuzohet grupi i Kumanovës. Videoja siç thuhet është siguruar nga ky portal-shkruan INA.
Ja se çka shkruan Ohridsky:
“Sot redaksia jonë publikon videon ekskluzive, e cila deri tani nuk është publikuar dhe që ka të bëjë me sulmin në postën policore kufitare Goshincë. Kjo video është regjistruar përmes videombikqyrjes ndërkufitare në Qendrës Rajonale Kufitare “Goshincë”. Ky portal i bën thirrje ish-drejtuesve të MPB-së të sqarojnë për sulmin për të cilën e kanë ditur, por nuk kanë ndërmarrë asgjë për sigurinë dhe mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial. Kush nga pushteti dhe përse qëllimisht po fshehin të vërtetën dhe duan skenarin e pësëritur të 2001.”
MPB atëkohë informoi se incidenti ka ndodhur në orët e para të mëngjesit (21.04.2015) në pikën kufitare në fshatin Gushincë të Komunës së Likovës, pavarësisht se nuk ka pasur as krisma e as të lënduar.