Milani është duke kaluar një formë mjaft të mirë dhe tifozët kuqezi janë në qiellin e shtatë. Pas disa fitoreve rresht, erdhi edhe kualifikimi drithërues për në finalen e Kupës së Italisë. Por entuziazmin e krijuar ka menduar sërish ta shuaj menaxheri italo-holandez, Mino Raiola.
Në një intervistë për “Rai Sport”, ai ka hedhur “bombën e radhës” ku përveç largimit të mundshëm të Donnarumës, tani është gati të negociojë edhe për Bonaventurën: “Kam shumë kërkesa për Donnarumma dhe Bonaventura. Nëse do të ma kërkonin, do të vihesha menjëherë në lëvizje”.
Nëse situata e portierit dihet tashmë, ajo e mesfushorit është diçka e re. Ai duket se ka përfunduar në shënjestrën e Juventus, e shtyrë nga vlerësimi i madh që trajneri Allegri ka për lojtarin. Që nga momenti që Gattuso ka marrë drejtimin e milanezëve, rendimenti i Bonaventura është rritur ndjeshëm. Jo rastësisht, të katër golat e realizuar nga ai në këtë kampionat kanë ardhur nën drejtimin e ish-mesfushorit të kuqezinjve.
Tek ky Milan i rindërtuar nga Gattuso, Jack Bonaventura, është një ndër lojtarët kyç dhe klubi nuk e ka ndërmend ta lejojë të largohet, edhe pse futbollisti ka një kontratë deri në 2020-ën. Raiola ka provuar të tremb “Djallin”, por Mirabelli dhe Fassone janë të qetë. Në fakt, ata e dinë se do të mund të mbështeten te një Bonaventura në maksimumin e formë për fazën e fundit të sezonit.