Një nga lojtarët e Kukësit e ka tepruar me ‘raklamimin’ e kampionatit shqiptar në vendin e tij. Bëhet fjalë për mesfushorin gjeorgjian Irakli, i cili ka folur për mediet në Gjeorgji për futbollin shqiptar, edhe pse duke hiperbolizuar shumë gjëra.
Një prej tyre është numri i tifozëve që ndjekin takimet në vendin tonë. Fillimisht ai ka folur për fitoren e arritur kundër Partizanit të hënën.
“Arritëm një fitore të vështirë ndaj Partizanit të hënën, nuk isha mësuar të luaja në kushte aq të vështira, sepse ndeshja u luajt në shi dhe ritmi ishte shumë i lartë, shpenzuam energji sa për dy ndeshje. Çdo ndeshje është si luftë në Shqipëri, nuk kam parë ndeshje me kaq shumë ritëm e intensitet, nuk ke kohë të relaksohesh. Partizani ka ekip të mirë dhe tifozë ‘të çmendur’. Për faj të shiut, ishin vetëm 3000 tifozë në stadium. Në ndeshjet për kreun janë 15-20 mijë tifozë, nuk ka shans të shohësh kaq shumë tifozë në Gjeorgji”, deklaron Dzaria, që më pas e bën fakt dënimin e Skënderbeut dhe thotë që ata do të kërkojnë vendin e dytë për të shkuar në Champions.
“Kemi një shans real për të shkuar në Champions League, nëse kalojmë Flamurtarin. Skënderbeu është në krye, por siç e dini, UEFA ka dhënë një dënim shumë të ashpër, duke e përjashtuar për 10 vite nga kupat e Europës, ndaj vendi i dytë do të shkojë në Champions. Rivali kryesor është Flamurtari”, ka thënë mes të tjerash Dzaria, në lelo.ge.