Ngjarja e rëndë e ndodhur sonte me trajnerin e Vllaznisë, Ernest Gjoka ka bërë bujë në të gjithë vendin tonë. Natyrisht një ngjarje e tillë e paprecedentë nuk i shkon një qyteti si Shkodra. Për këtë çështje ka reaguar FSHF, Partizani dhe shumë figura të njohura të sportit, të cilat e kanë dënuar fort këtë akt të shëmtuar. Por, kërcënimet dhe presionet ndaj trajnerëve në Shkodër nuk kanë munguar asnjëherë.
Para dy sezonesh ish-trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu, deklaronte se ka presione dhe kërcënime të jashtme në klubin shkodran. Por, ato deklarata u kaluan në heshtje dhe nuk doli asnjë fajtor. Pas ngjarjes së sotme ka reaguar edhe vetë tekniku Cungu. Në një prononcim për Newsport.al,ai flet për këtë ngjarje.
“Këtë ngjarje e kam paralajmëruar që dy vjet më parë. Është e turpshme që nuk është reaguar, as nga media dhe as nuk janë marrë masa. Të gjithë kanë qëndruar indiferentë për presionin e madh që është te Vllaznia. Unë për këtë arsye u largova. Duhet të ndodhte diçka e tillë që të reagohet? Për trajnerin Gjoka më vjen keq, sepse është koleg i imi dhe ai. Kjo ngjarje është një shumë e rëndë, kujtdo t’i kishte ndodhur. Ky është një skandal i madh që ka ndodhur. Sinqerisht më vjen shumë keq për këtë gjë. Është e turpshme për Shkodrën,”-u shpreh Cungu.