Mbrëmjen e së dielës u mbajt në Londër ceremonia e 71-të e British Academy of Film and Television Awards, BAFTA që quhet ndryshe Oscar-ët britanikë.
Në mbështetje të lëvizjes ‘#MeToo dhe Times’s Up’, të gjithë të pranishmit ishin veshur me të zeza. Një gjë e tillë ndodhi edhe në natën e madhe të ndarjes së çmimeve Golden Globes.
Por ajo që nuk ndoqi rregullin ishte dukesha Kate Middleton. Kjo për faktin se si pjesëtare e familjes mbretërore, Kate s’mund të bëjë asnjë lloj deklarate politike, qoftë kjo edhe në mbështetje të grave shkruan Daily Mail.
Nëse do të vishej me të zeza, do të shprehte mbështetjen e saj ndaj një lëvizjeje. Nëse nuk do të vishej me të zeza, do të dukej sikur po dilte kundër gjithë femrave, të cilat kanë qenë viktima të ngacmimeve seksuale.
Ajo kishte zgjedhur një fustan të gjatë ngjyrë jeshile e errët, i cili i nxirrte në pah barkun e saj të rrumbullakosur. E menjëherë pasi panë dukeshën të dilte nga makina nisën kritikat ndaj saj.
Në disa postime në Twitter shprehej zhgënjimi me zgjedhjen e Dukeshës. “Nuk është politikë, është mbështetje ndaj grave,” shkruan dikush. Ndërsa një tjetër thotë:
“Dihet që familja mbretërore nuk angazhohet dot në gjëra të ngjashme, por a do të bëhej nami sikur Kate Middleton të kishte veshur të zeza?”- shkruante një tjetër.