27 Janar 1945 – Ushtria sovjetike çliron Aushvicin, simbolin e Holokaustit
Trupat sovjetike hyjnë në kampin e vdekjes në Aushvic të Polonisë, duke liruar të mbijetuarit e paktë që gjetën, dhe duke i zbuluar mbarë botës tmerret e papërshkrueshme që kishin ndodhur atje. Aushvici përfaqësonte në fakt një grup kampesh, I, II dhe III. Kishte gjithashtu 40 kampe më të vogla “satelite”.
Ishte pikërisht Aushvic II, në Birkenau, i themeluar në tetor të vitit 1941, ku trupat nazizte SS krijuan infrastrukturën e nevojshme për të varë në mënyrë masive, e përbërë nga 300 kazerma burgu; katër “shtëpi-banjo” ku ekzekutoheshin të burgosurit; bodrumet e kufomave; dhe furrat e djegies. Mijëra të burgosur u përdorën gjithashtu për eksperimente mjekësore të mbikëqyrura dhe të kryera nga mjeku i kampit, Jozef Mengele, ose “Engjëlli i vdekjes”.
Ushtria e Kuqe, përparoi në thellësi të Polonisë që nga mesi i janarit. Pasi çliruan Varshavën dhe Krakovën, trupat sovjetike u nisën drejt Aushcivit. Në pritje të mbërritjes së sovjetikëve, Gestapo nisi një valë të re vrasjesh në kampe, duke ekzekutuar të burgosurit e sëmurë dhe duke i djegur në krematorium në një përpjekje e dëshpëruar, për të shkatërruar provat e krimeve të tyre.
Kur Ushtria e Kuqe arriti më në fund të depërtojë në kamp, ushtarët sovjetikë gjetën 648 kufoma dhe më shumë se 7.000 të mbijetuar, të cilët ishin kockë e lëkurë për shkak të të urisë ekstreme. U zbuluan edhe 6 depo me qindra mijëra veshje femrash, kostume burrash, dhe këpucë të cilat gjermanët nuk patën kohë t’i digjnin.
Sipas vlerësimeve të përafërta, 11 milionë njerëz humbën jetën në 12 vjet (1933-1945), në Gjermani dhe mbarë Evropën, si pasojë e drejtpërdrejtë një programi makabër, për shfarosjen e të ashtuquajturave raca inferiore, me popullin hebre në krye. Vetëm, në Aushvic humbën jetën afro 1.1 milionë njerëz, ndaj dhe çlirimi i tij përkujtohet në mbarë botën si Dita e Holokaustit, në nderim të viktimave, dhe nevojës për të mos harruar kurrë tmerret e shkaktuara nga nazizmi.
27 Janar 1975 – Në SHBA, Senati nis hetimin mbi veprimtaritë e FBI-së dhe CIA-s
Një komision hetimor bipartizan i Senatit të SHBA-së, nis hetimin e aktiviteteve të Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), dhe Agjencisë Qëndrore të Inteligjencës (CIA), nën drejtimin e senatori tFrank Church nga Idaho. Më 20 nëntor 1975, komisioni publikoi raportin e tij, duke akuzuar si FBI-në por edhe CIA-n për veprimtari të paligjshme.
Sipas raportit, këto dy agjenci kishin kryer përgjime të paligjshme ndaj qindra mijëra qytetarëve amerikanë. CIA u akuzua gjithashtu për një komplote të paligjshme për të vrarë udheheqësit e huaj, siç ishte ajo e Salvador Alende, presidentit kilian të zgjedhur në mënyrë demokratike.
Në vitin 1973, Alende u vra në një grusht shteti, që u urganizua me fshejhtësi me ndihmën e CIA-s. Komisioni hetimor, raportoi ndërkaq se CIA mbante një rezervë të fshehtë të helmeve të ndryshme, përkundër një urdhëri të veçantë presidencial për t’i asgjësuar ato substanca.
27 Janar1888- Në SHBA, themelohet Shoqata Kombëtare Gjeografike
Shoqata Kombëtare Gjeografike, u themelua në Uashington me synim “shtimin dhe përhapjen e njohurive gjeografike”. Tridhjetëetre burrat që fillimisht u takuan dhe formuan shoqatën, ishin një grup i ndryshëm gjeografësh, studiuesish, mësuesish, avokatësh, hartografësh, ushtarakësh dhe financierësh. Ata zgjodhën si president avokatin dhe filantropin e njohur Gardiner Greene Hubbard.
Nëntë muaj pas themelimit, shoqata publikoi numrin e parë të revistës “National Geographic”. Në vetëm pak vite, revista e rriti tirazhin e saj nga 1.000 në 2 milionë kopje, duke përdorur me shumë artikujt me interes të përgjithshëm, të shoqëruara me fotografi. “National Geographic”, u bë shpejt e famshme për fotografitë e saj me ngjyrat natyrore të qiellit, detit dhe Poleve të Veriut dhe Jugut.
Duke përdorur të ardhurat e saj, ajo sponsorizoi ekspedita dhe projekte hulumtuese, që ndihmuan në kuptimin e natyrshëm të dukurive natyrore. Deri më sot, shoqata ka financuar më shumë se 1.400 projekte. Ato ndihmuan Robert Peary në udhëtimin e tij të parë në Polin e Veriut, Richard Byrd për të fluturuar mbi Polin e Jugut, Jacques Cousteau për të eksploruar fundin e detrave etj.
Sot, Shoqata Kombëtare Gjeografike, është një nga institucionet jofitimprurëse më të mëdha shkencore dhe arsimore në botë. “National Geographic”, ka aktualisht një tirazh mujor prej rreth 9 milionë kopjesh. Shoqata e sheh gjithashtu veten si kujdestare të burimeve natyrore të planetit, duke u përqëndruar tek mënyrat për të zgjeruar shtrirjen e saj, dhe për të edukuar lexuesit e saj rreth marrëdhënies unike që njerëzit kanë me Tokën.
27 Janar 1302 – Shkrimtari i njohur Italian, Dante Aligeri, dëbohet nga Firence.
27 Janar 1343 – Papa Klementi VI, firmos një dekret për të justifikuar fuqinë e Papës dhe përdorimin e indulgjencave. Rreth 200 vjet më vonë, kleriku gjerman Martin Luter, do të protestonte pikërisht kundër kësaj praktike.
27 Janar 1944 – Pas plot 900 ditësh , merr fund rrethimi gjerman i qytetit sovjetik të Leningradit.
27 Janar 1967 – Në SHBA, astronautët Gus Grissom, Ed White dhe Roger Chaffee, gjejnë vdekjen pas një zjarri që ra gjatë provave të nisjes së anijes “Apollo 1”, në Qendrën Hapësinore Kenedi në Florida .
27 Janar 1967 – Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Sovjetik nënshkruajnë në Uashington Traktatin mbi Hapësirën e Jashtme, që ndalon vendosjen e armëve bërthamore në hapësirë, dhe duke e kufizuar përdorimin e Hënës dhe të trupave të tjerë qiellorë për qëllime paqësore.
27 Janar 1973 – Në Paris, përfundojnë zyrtarisht Marrëveshjet e Paqes mes SHBA dhe Vietnamit të Veriut. Po atë ditë vritet në aksion koloneli Ëilliam Nolde, duke qenë viktima e fundit amerikane në atë luftë.
27 Janar 1996 – Gjermania, përkujton për herë të parë Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit.
27 Janar 2002 – Një shpërthim, në një depo ushtarake në Lagos të Nigerisë, vret të paktën 1.100 njerëz, dhe imponon zhvendosjen nga zona të mbi 20.000 njerëzve të tjerë.
27 Janar 2011 – Pranvera Arabe nis edhe në Jemen, kur mbi 16.000 protestues demonstrojnë në kryeqytetin Sana.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce