Flamurtari e ka seriozisht me Armand Dukën. Pas kallëzimit që depozitoi paraditen e sotme Sinan Idrizi në Prokurori ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit, faqja zyrtare e klubit vlonjat në Facebook kërcënon me një tjetër skandal. Bëhet fjalë për një video e cila do të shfaqë shifra milionëshe dhe shitje ndeshjesh në Azi.
Në një status në Facebook paralajmërohet skandali i radhës: “Skandali i radhës është në furrë po piqet ndërsa VIDEO është gati po pret urdhrin. Me fakte të shkruara e zeza mbi të bardhë miliona euro, gjaku dhe djersa e fëmijëve të Shqipërisë i marrë peng, baste e shitje ndeshjesh në Azi këto dhe jo vetëm NE VAZHDIM…’ shkruhet në faqe.
Paraditen e së martës Sinan Idrizi është shfaqur në dyert e prokurorisë dhe ka bërë padinë për 12 shoqatat fantazmë, të cilat sipas FSHF-së kanë të drejtën e votës edhe pse nuk figurojnë të regjistruara në gjykatë. E gjithë kjo luftë bëhet për faktin se Flamurtari gjatë këtij sezoni ka pasur shumë ankesa ndaj Federatës dhe është ekipi që do të përkrahë Bashkim Finon në zgjedhjet e 7 shkurtit.