Kreu i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi ka akuzuar Komisionin Komunal Zgjedhor se është i manipuluar dhe se po zbaton një strategji të zymtë në drejtim të humnerës demokratike.
Sipas Arifit, KKZ-ja ka si synim që t’i mundësojë listës serbe dy këshilltarë në Kuvendin komunal, për të dobësuar Alternativen për Ndryshim me një keshilltar më pak.
Lexojeni postimin e plotë të kryetarit të APN-së Shqiprim Arifi:
Siç është manifestuar javëve të fundit, Këshilli komunal zgjedhor KKZ është duke zbatuar një “strategji” të zymtë me metoda sistematike të intrigave në drejtim të humnerës demokratike në Komunën e Preshevës.
Këto elemente pasqyrojnë në miniaturë, qasjen reaguese dhe vepruese të subjekteve të vjetra politike, posaçërisht në dy vitet e fundit:
– duke injoruar parimet e shëndosha demokratike “fair play”
– duke injoruar tërësisht vullnetin e popullit,
– duke injoruar diasporën shqiptare,
– duke injoruar institucionet dhe organet ligjore,
– duke zhvatur procesin demokratik, kur është kundër interesave tyre të ngushta klanore
– duke manipuluar me fakte, shpifur dhe propaganduar jashtë çdo imagjinate, etj. etj.
Të gjitha këto veprime destruktive kanë ndodhur në të kaluarën dhe po ndodhin tani. Të stërvjetëruarit politik si ideator të këtyre zhvillimeve të fundit në Komunën e Preshevës, vazhdojnë me avazin e tyre perfid manipulues dhe anti-demokratik. Interesat e tyre individuale dhe klanore synohen të realizohen mbi kurrizin e popullit shqiptar duke shkelur mbi ligjet, parimet elementare demokratike si dhe interesat kombëtare.
Tani KKZ-ja e kapur nga të stërvjetëruarit është e gatshme të punojë në përmbushjen e dy objektivave:
- Të i mundësojnë Listës serbe dy këshilltarë në Kuvendin komunal, për të dobësuar Alternativen për Ndryshim me një këshilltar më pak.
- Të parcializojn edhe më shumë për të humbur efikasitetin e mbarëvajtjes së punës dhe cilësisë në aktivitetet e Kuvendit, duke “i falur” një këshilltar subjektit të vogël. Meqë nga përvoja e viteve të kaluara, as nuk kishte dhe as nuk do të ketë ndonjë efekt pozitiv në procesin politik dhe zhvillimor të shoqërisë sonë.
Koncepti i tyre në pikën e parë paraqet njëkohësisht demagogjinë e tyre të theksuar me pretendimet e fushatës parazgjedhore nën moton “për Preshevën shqiptare” si dhe “zgjedhja e vetme”. PVD dhe PDSH po zhvillojnë politika klanore dhe manipulative me standarde të dyfishta që meritojnë përfundimisht epitetin Dyftyrësi.
Fushata e tyre e egër anti-njerëzore edhe më tej do të vazhdoj me skenare dhe konspiracone më të ndryshmet, për t`u vetëshpallur “patriot” dhe përfituar ndonjë votë të lirë.
Por kjo nuk do të funksionoj dot në të ardhmen, sepse diliriumi i këtyre personave keqdashës e cila implementohet në miniaturë nga KKZ-ja, nuk do të realizohet dhe do të përfundoj si një tentativë tjetër e dëshpëruar.