‘Fenomeni’ Ronaldo pas shumë kohësh ka folur për mediat për të bërë një paralelizëm mes Real Madrid dhe Barcelonës, se kush ishte klubi më i dashur për të. Ai ka luajtur në shumë klube të mëdha dhe ka lëvizur ndërmjet klubeve me rivalitet të madh si në Itali me Interin e Milanin, në Spanjë me Realin e Barçën dhe transferimet e tij gjithnjë kanë bërë bujë.
Ylli brazilian është shprehur se transferimi i tij nga Barcelona tek Inter, ishte në të njëjtën situatë që i ndodhi Neymarit këtë verë dhe u detyrua të largohej drejt PSG. Ronaldo gjithmonë ka shfaqur simpati për Neymarin, madje në një postim në Instagram ai është shprehur: “Imagjino sa gola mund të shënonin së bashku. Tani është momenti jot.”
“Ndihem më shumë i lidhur me Realin e Madridit, edhe pse për të thënë të vërtetën në Barcelonë kam jetuar vitin tim më të mirë. Por historia me Barcelonën nuk u mbyll shumë mirë. Është pak e shumë si situata që përjetoi pak kohë më parë Neymar”, u shpreh Ronaldo, që në botën e futbollit u njoh me pseudonimin “Fenomeni”.
Më tej Ronaldo foli edhe për raportin që kanë patur futbollistët brazlianianë me skuadrën katalanase. “Raporti i brazilianeve është thyer ndoshta që në kohën e Romarios. Më pas u përsërit edhe me Ronaldinjon. Por gjithësesi Barcelona është një qytet i mrekullueshëm”, përfundoi ‘Fenomeni’.