18 Dhjetor 2011- Vdes shkrimtari dhe ish-disidenti çek, Vaclav Havel
Vaclav Havel ka qenë presidenti i parë i Republikës Çeke gjatë viteve 1993- 2003. Para kësaj kohe, ai shërbeu edhe si presidenti i fundit i Çekosllovakisë, nga viti 1989 e deri në shpërbërjen e saj në vitin 1992. Si një shkrimtar i njohur i letërsisë çeke dhe me gjerë, ai është i njohur për dramat, esetë dhe kujtimet e tij.
Si dramaturg, Haveli përdori stilin absurd në vepra të tilla si “Partia e Kopshtit” dhe “Memorandumi” për të kritikuar komunizmin. Pas pjesëmarrjes në Pranverën e Pragës, dhe duke u renditur në listën e zezë të autoriteteve komuniste pas pushtimit të Çekosllovakisë, ai u bë politikisht më aktiv, dhe ndihmoi në disa nisma disidente, sikurse ishte “Karta 77” dhe Komiteti për Mbrojtjen e të Gjykuarve në Mënyrë të Padrejtë.
Aktivitetet e tij politike, e vunë nën vëzhgimin e policisë sekrete, ndërsa u burgos shumë herë, periudha me e gjatë zgjati 4 vjet, midis viteve 1979-1983. Partia e Forumit Qytetar e Havelit, luajti një rol të madh në Revolucionin e Kadifejtë që rrëzoi komunizmin në Çekosllovaki në vitin 1989.
Ai mori menjeherë pas kësaj detyrën e presidentit të vendit, dhe u rizgjodh me një shumicë dërrmuese votash vitin që pasoi, si dhe pas pavarësisë së Sllovaksë në vitin 1993. Haveli pati një rol kyç në shpërbërjen e Traktatit të Varshavës, dhe zgjerimit të NATO-s drejt lindjes.
Shumë nga qëndrimet dhe politikat e tij, si kundërshtimi i pavarësisë sllovake, denoncimi i trajtimit që Çekosllovakia u bëri gjermanëve të rajonit të Sudeteve pas Luftës së Dytë Botërore, apo dhe dhënia e amnistisë së përgjithshme për të gjithë ata që ishin burgosur nën rregjimin komunist, ngjallën shumë debate në vend.
Në këto rrethana, në fund të presidencës së tij, Havel gëzonte një popullaritet më të madh jashtë vendit sesa në Çeki. Ai e vazhdoi jetën e tij si intelektual publik edhe pasi la presidencën, duke ndërmarrë disa nisma, përfshirë Deklaratën e Pragës mbi Ndërgjegjen Evropiane dhe Komunizmin, Fondacionin “VIZE 97”, dhe konferencën vjetore të “Forumit 2000”.
Filozofia politike e Havelit ishte një kundër konsumizmit të shfrenuar, pro humanitarizmit, ambientalizmit, aktivizmit civil dhe demokracisë së drejtpërdrejtë. Ai mbështeti Partinë e Gjelbër Çeke nga viti 2004 deri në vdekjen e tij.
Havel mori çmime të shumta gjatë jetës së tij duke përfshirë Medaljen Presidenciale të Lirisë në SHBA, Çmimin e Paqes Gandi, Urdhrin e Kanadasë, Çmimin e Katër Lirive etj. Ai konsiderohet si një nga intelektualët më të rëndësishëm të shekullit XX-të. Për nder të tij aeroporti ndërkombëtar në Pragë, u riemërua në vitin 2012 “Václav Havel Airport Prague”.
18 Dhjetor 1865 – Në SHBA shfuqizohet zyrtarisht skllavëria
Pas ratifikimit të saj nga tre të katërtat e shteteve, Amendamenti i 13-të miratohet zyrtarisht si pjesë e Kushtetutës së SHBA-së, duke siguruar që “as skllavëria, as servituti i pavullnetshëm … nuk do të ekzistojnë më brenda juridiksionit të Shteteve të Bashkuara”.
Para Luftës Civile Amerikane, Abraham Lincoln dhe udhëheqësit e tjerë të Partisë Republikane kundër skllavërisë nuk synonin në fakt të shfuqizonin tërësisht skllavërinë, por thjesht të ndalonin zgjerimin e saj në territoret dhe shtetet e reja në perëndim të vendit.
Por një politikë e tille, qe e papranueshme për shumicën e politikanëve jugorë, të cilët druheshin se zgjerimi i shteteve të lira, do ta kthente në mënyrë të pakthyeshme kundër tyre strukturën e pushtetit në SHBA. Në nëntorin e vitit 1860, zgjedhja e Lincoln si president sinjalizoi shkëputjen e shtatë shteteve jugore dhe formimin e Shteteve të Konfederatës Amerikane.
Menjëherë pas inaugurimit të saj më 1861, shpërtheu Lufta Civile. Katër shtete të tjera jugore që mbështesnin skllavërinë iu bashkuan Konfederatës, ndërsa 4 shtete të tjera mbetën në union.
Në vitin 1862, Kongresi anuloi ligjet mbi mbajtjen e skllevërve të padeklaruar, ndalonte skllavërinë në territorin e SHBA, dhe e autorizoi Lincoln-in të rekrutonte në ushtri skllevërit e çliruar. Pas fitores së madhe të Unionit në Betejën e Antietamit në shtator, Lincoln publikoi më 1 janar 1863 Deklaratën e Emancipimit, duke i bërë thirrje ushtrisë së Unionit të çlironte të gjithë skllevërit në shtetet që ishin ende të rebeluara, si “një akt i drejtësisë, i garantuar me Kushtetutë, si edhe për nevoja ushtarake”.
Ky ndryshim ideologjik, dekurajoi ndërhyrjen e Francës apo Anglisë në emër të Konfederatës, dhe i mundësoi Unionit të shtonte rradhët e saj me 180.000 ushtarë dhe marinarë afro-amerikanë, të cilët u paraqitën vullnetarisht për të luftuar. Më 2 dhjetor 1865, Alabama u bë shteti i 27-të që ratifikonte Amendamentin e 13-të, duke garantuar kësisoj shumicën e nevojshme të tre të katërtave, për ta bërë bërë atë një amendament kushtetues.
18 Dhjetor 1982 – Qindra njerëz vdesin dhe shumë të tjerë plagosen, nga një zjarr i rënë në një termocentral në Venezuelë
Një zjarr i madh në një termocentral vret 128 persona, dhe plagos qindra të tjerë në Venezuelë. Gjysma e kryeqytetit të Karakasit mbeti pa energji, ndërsa mbi 40.000 njerëz u evakuuan. Centrali i madh Takoas në periferi të Karakasit, po i nënshtrohej një remonti, kur shpërtheu zjarri në një nga depozitat e naftës.
18 Dhjetor 218 P.E.S – Në Betejën e Trebias gjatë Luftave të Dytë Punike, ushtria karagjenase e Hanibalit mposht ushtrinë romake.
18 Dhjetor 1499 – Në Alpujarras shpërthen një rebelim, si përgjigje ndaj konvertimeve të detyruara të myslimanëve në Spanjë.
18 Dhjetor 1655 – Në Angli mbyll punimet Konferenca e Uajthollit, që përcaktoi se nuk kishte asnjë ligj që i pengonte hebrejtë të hynin në vend, pas miratimit të Dekretit të Dëbimit në vitin 1290.
18 Dhjetor 1916 – Në Luftën e Parë Botërore, Beteja e Verdunit përfundon kur forcat gjermane nën drejtimin e Erik Falkenhejn mposhten nga ato francezë, duke pësuar mbi 337.000 të vrarë e të plagosur.
18 Dhjetor 2005 – Lufta Civile Çadiane fillon kur grupet rebele, që supozohet se mbështeteshin nga Sudani fqinj, nisin një sulm në Adre.
18 Dhjetor 2006 – Emiratet e Bashkuara Arabe mbajnë zgjedhjet e para demokratike.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce