Futbollisti i kombëtares shqiptare Jahmir Hyka, i ftuar në “Pasdite në Top Channel”, ka folur për emocionet me kombëtaren kuqezi dhe për jetën private. Ai ka debutuar në një moshë të re dhe vazhdon të mbajë vlerësimet maksimale për trajnerin që ia bëri të mundur realizimin e ëndrrës për të qenë pjesë e kombëtares.
Hyka ka debutuar në moshën 18-vjeçare me Shqipërinë dhe e mban mend kështu këtë eksperiencë: “Kombëtarja është një ëndërr për çdo futbollist. E kam provuar që në moshën 18-vjeçare dhe ishte eksperiencë shumë e bukur. Debutova me trajnerin Oto Bariç, në një ditë me shi në Shkodër, kundër Maqedonisë”.Pikërisht trajnerin Otto Bariç, Hyka e konsideron si më të mirin që ka pasur ndonjëherë ekipi ynë përfaqësues.
“Bariç më dha mundësinë për të luajtur me kombëtaren dhe për mua ai ka qenë më i miri”, tha Hyka.
Në lidhje me jetën private, Jahmiri thotë se është ende në kërkim të dashurisë: “Ndoshta ka ndikuar edhe ndryshimi i shpeshtë i vendeve që unë nuk kam lidhje serioze”.