Ditën e djeshme u shemb një masiv shkëmbor, duke bllokuar kështu lëvizjen e automjeteve në aksin rrugor Elbasan-Tiranë.
Masivi shkëmbor u rrëzuar dje rreth orës 06:00 të mëngjesit duke thyer çdo barrierë anësore të autostradës së re.
Por, duket se kjo situatë do të vijojë për disa ditë me radhë. Kështu bëri me dije drejtori i ARSH, Afrim Qendro, i cili deklaroi sot se ende nuk ka një datë të saktë se kur do të hapet.
Në një prononcim për mediat si u shpreh se po bëhet studimi gjeologjik, ndërsa pas analizës do të dalin edhe përgjegjësitë e firmës që e ndërtoi:
“Ende nuk ka një datë se kur do të jetë e hapur plotësisht. Rruga do të hapet, pasi të jemi të sigurt që jeta e qytetarëve nuk rrezikohet. Nuk jam në dijeni për rrëshqitje të tjera, rruga është marrë në dorëzim nëntorin e vitit të kaluar. Përsa i përket përgjegjësive të firmës do të dalin pas analizës së plotë.
Pasi të dalë studimi gjeologjik dhe analizat do të flasim për shkaqet dhe masat. Është shumë shpejt për të arritur në konkluzione dhe për të folur për përgjegjësitë”, deklaroi ai.