Ekspertiza e aksidentit të ndodhur dje në Korçë, ku u përfshinë dy automjete nga eskorta e kryeministrit Edi Rama, do të kryhet nga një ekspert i pavarur.
Kjo për arsyen se ekspertiza paraprake dhe hetimet e kryera nga policia nuk mund të jenë pjesë e fashikullit hetimor për shkak të konfliktit të interesit që ka në këtë rast pasi dy nga mjetet i përkasin Ministrisë së Brendshme dhe janë në përdorim nga Garda e Republikës.
Këtë e bënë me dije burime nga akuza e Korçës për Report TV, të cilat sqaruan më tej se është ndaluar për llogari të hetimeve shoferi Spiro Naçi, djali i Aleksandër Naçit pronarit të mjetit me targë AA 426 FD, “Volkswagen” që rezulton se është dhe shkaktar i aksidentit.
Aksidenti shkaktoi pasoja në shëndetin e një prej gardistëve të përfshirë në përplasje, konkretisht të oficerit Ervin Musai, i cili ka pësuar dëmtime në vertebër dhe prej 24 orësh po trajtohet në Spitalin e Traumës në Tiranë ku u soll me helikopter.
Sipas Report TV, Prokuroria do të kërkojë nga eksperti privat që do të rindërtojë dinamikën e ngjarjes, shpejtësinë e lëvizjes së automjeteve, përfshi ato civile dhe të eskortës së kryeministrit, distancën e mjeteve “Volkswagen” dhe “Range Rover” në momentin e frenimit, kushtet e rrugës si dhe kontrollin teknik të mjeteve të përfshira në aksident.
Në aksidentin e djeshëm u përfshinë katër automjete: Toyota me targë MB 385 AP dhe mjeti i fundit i eskortës me targë MB 408 AA. Ndërsa dy mjetet civile janë fuoristrada me targë AA 313 DX dhe “Volkswageni” në pronësi të të ndaluarit Naçi me targë AA 426 FD.