26 Nëntor 1909- Lind themuesi i Teatrit të Absurdit, Eugène Ionesco
Ionesco lindi në Slatina të Rumanisë, dhe vdiq në vitin 1994 në kryeqytetit francez, Paris. Ai njihet si përfaqësues i një rryme të veçantë teatrore, të bazuar tek ngjarjet dhe dialogjet aburde. Ionesco u dërgua nga familja në Francë qëkur ishte fëmije, por u rikthye në Rumani në vitin 1925. Pasi u diplomua për frëngjisht në Universitetin e Bukureshtit, punoi për të mbojtur doktoraturën në Paris, teksa punonte si lektor, vendosi të mësonte gjuhën angleze.
Jeta e përditshme e frymëzoi për të shkruar “antidramën” e tij të parë absurde,”Sopranoja tullace”. Në skenën e tij më të famshme, dy të panjohur – të cilët po zhvillojnë një dialog disi absurd mbi mënyrën se si po kalon koha, ku jetojnë dhe sa fëmijë kanë – ndalin në një moment bisedën kur konstatojnë zbulimin e habitshëm se ata në ralitet janë burrë dhe grua. Ky është një shembull i shkëlqyer i temave të përsëritura të Ionesco-s mbi vështirësinë e komunikimit njerëzor.
Ionesco shkroi një numër dramash, duke zhvilluar idetë ”antilogjike” të veprës së parë, duke përfshirë skica të shkurtra të mbushura me akte dhune irracionale, ndërsa fillojnë të shfaqen gjithashtu një sërë veprash më të përpunuara me një akt, në të cilën trajtohen shumë nga temat e tij të mëvonshme, veçanërisht frika dhe tmerri nga vdekja.
Tek drama “Karriget” (1952), një çift i moshuar pret ardhjen e auditorit për të dëgjuar mesazhin e fundit të burrit të moshuar për brezat e ardhshëm, por në skenë mbeten gjatë gjithë kohës vetëm karriget bosh. I bindur se mesazhi i tij do të transmetohet nga një orator tjetër, plaku dhe bashkëshortja e tij kryejnë një vetëvrasje të dyfishtë.
Arritja e Ionesco-s, qëndron në popullarizimin e një shumëllojshmërie të gjerë të teknikave jo-përfaqësuese dhe surrealiste. Farsat e tij tragjikomike, dramatizojnë absurditetin e jetës, pakuptimësinë e simboleve shoqërore, dhe natyrën e kotë dhe mekanike të qytetërimit modern.
26 Nëntor 1922 – Arkeologët hynë në varrin e Faraonit egjiptian Tut
Në Luginën e Mbretërve të Egjiptit, arkeologët britanikë Hoëard Carter dhe Lord Carnarvon, janë njerëzit e parë që hyjnë në varrezën e Mbretit Tutankhamen pas më shumë se 3.000 vjetësh. Dhomat e varrit të Faraonit qenë mrekullisht të paprekura, dhe brenda ndodhej një koleksion prej disa mijëra objektesh të paçmuara, duke përfshirë një arkivol tërësisht prej ari që mbante brenda mumjen e mbretit adoleshent.
Faraoni egjiptian Tutankhamen sundoi në vitin 1333 P.E.S, kur ishte ende fëmijë. Ai vdiq një dekadë më vonë në moshën 18 vjeçare, duke lënë pak gjurmë në historinë e Egjiptit të lashtë. Në shekullin XIII, Tutankhamen dhe mbretërit e tjerë “Amarna” u dënuan publikisht, dhe shumica e monumenteve të tyre u shkatërruan. Një shekull më vonë, punëtorët që po ndërtonin një varr për Ramsesin VI, mbuluan pa dashje me një shtresë të trashë argjile varrin e Tutankhamenit, duke e mbrojtur atë nga zbulimet e ardhshme.
26 Nëntor 1992 – Qeveria britanike vendos të taksojë Mbretëreshën
Monarkia britanike, detyrohet të paguajë tatimin mbi të ardhurat për herë të parë që nga vitet 1930. Kryeministri, John Major, i tha Dhomës së Përfaqësuesve se Mbretëresha i kishte bërë vetë me dije se ishte e gatshme t’i paguante taksa shtetit. Vendimi u mirëprit nga qeveria dhe mbështetet u plotësisht nga Princi i Uellsit, Charles, që tashmë paguante disa taksa mbi të ardhurat e tij.
26 Nëntor 1942- Shfaqet në Nju Jork premiera e filmit të famshëm “Casablanca”
“Casablanca”, është një film dramatik romantik amerikan me regjinë e Michael Curtiz, dhe me protagonistë aktorët e mirënjohur të kohës Humphrey Bogart, Ingrid Bergman dhe Paul Henreid. Ngjarjet vendosen gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku një emigrant amerikan, duhet të zgjedhë midis dashurisë së tij për një grua, dhe ndihmës për të dhe bashkëshortin e saj, një udhëheqës i Rezistencës Çeke, për t’u larguar nga qyteti i Casablanca-s, i kontrolluar nga rregjimi francez fashist i Vishisë, për të vazhduar luftën kundër nazistëve. Filmi doli me kinema para parashikimit, për të përfituar nga publiciteti i pushtimit aleat të Afrikës Veriore disa javë më parë. Ai rezultoi një sukses i madh, fitoi 3 çmime “Academy Awards”, dhe cilësohet nga kritika si një ndër filmat më të mirë të të gjithë kohërave.
26 Nëntor 1863 – Presidenti i SHBA-së, Abraham Lincoln, shpall 26 nëntorin si Ditën Kombëtare të Falënderimeve, që do të kremtohet çdo vit të enjten e fundit të nëntorit.
26 Nëntor 1917 – E përditshmja “The Guardian” e Mançesterit, publikon marrëveshjen sekrete Sykes-Picot të vitit 1916 midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës, për ndarjen e Lindjes së Mesme mes dy fuqive të mëdha.
26 Nëntor 1918 – Asambleja malazeze e Podgoricës, voton për një “bashkim të popullit”, duke deklaruar hyrjen në Mbretërinë e Serbisë.
26 Nëntor 1939 – Ushtria Sovjetike orkestron një incident, nëpërmjet bombardimeve në Mainila, të cilat u përdorën si një justifikim për nisjen e Luftës së Dimrit me Finlandën 4 ditë më vonë.
26 Nëntor 1944 – Gjatë Luftës së Dytë Botërore, një raketë gjermane V-2 godet një dyqan në lagjen Woolworth të Londrës, duke vrarë 168 njerëz.
26 Nëntor 1970 – Në Basse-Terre në Guadeloupe, rregjistrohen rreshjet më të dendura në botë. Brenda një minute ranë plot 38.1 mm shi.
26 Nëntor 1998 – Tony Blair, bëhet kryeministri i parë i Mbretërisë së Bashkuar që i adresohet me një fjalim Oireachtas, parlamentit të Republikës së Irlandës.
26 Nëntor 1998 – Të paktën 212 njerëz mbetën të vdekur, nga përplasja e dy trenave në Khanna të Indisë.
26 Nëntor 2000 – Xhorxh W. Bush çertifikohet si fitues i votave elektorale të Floridës, duke u shpallur kësisoj fitues i zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, pavarësisht humbjes së votës popullore.
26 Nëntor 2011 – Forcat e NATO-s në Afganistan, sulmojnë gabimisht një postbllok ushtarak pakistanez, duke vrarë 24 ushtarë dhe plagosur 13 të tjerë.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce