Kryetari i parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi thotë se me ligjin për përdorimin e gjuhëve nuk rrezikohet karakteri unitar i Republikës së Maqedonisë. Në intervistën e sotme për gazetën serbe “Politika”, Xhaferi deklaroi se me projektligjin e ri mundësohet mbajtja e seancave parlamentare në gjuhën shqipe. Ai tha se në situata të caktuara ekziston tendencë që projektligji i gjuhëve të interpretohet në varësi të interesave të palëve të caktuara.
Xhaferi: Çështja për rregullimi e përdorimit të gjuhës është konfirmuar qartë në amendamentin 5 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë. Edhe përkundër asaj që dispozita është e qartë, megjithatë në situata të caktuara ekziston tendencë që ajo të interpretohet në varësi të interesave të palëve të caktuara. Që të mënjanohet kjo mundësi për interpretim të njëanshëm, lind nevoja e përkufizimit të saktë të kësaj çështje. Projektligji për përdorimin e gjuhës e ka pikërisht këtë rol. Është e vërtet që me projektligjin e ri mundësohet mbajtja e seancave kuvendore në gjuhën shqipe. Megjithatë me këtë nuk do të ulet rëndësia e gjuhës maqedonase apo e gjuhëve të tjera që fliten në Maqedoni, dhe aq më pak karakteri unitar i vendit tonë.
I pyetur se çfarë pret nga bisedimet eventuale në Paris në kuadër të procesit “Xhan Mone” që u inicua nga Parlamenti Evropian, Xhaferi u përgjigj se në fokus të takimeve në Paris do të jenë dy tema “rregullorja e Kuvendit” dhe “Kodeksi etik i deputetëve.