Në Shqipëri, prevalenca e pasigurisë së lartë ushqimore prek 10 për qind të popullsisë totale, sipas raportit të Organizatës së Ushqimit dhe Agrikulturës (FAO) për urinë.
Si pasojë, rreth 290 mijë shqiptarë kategorizohen në grupin e atyre me vakte të reduktuara për shkak se nuk kanë arritur të sigurojnë ushqim të mjaftueshëm.
Në raportin e bërë këtë vit, thuhet se kjo matje bëhet në kuadër të raportimeve që bëjnë shtetet anëtare, por edhe si pjesë e programit të Kombeve të Bashkuara për t’i dhënë fund urisë deri në 2030-n, përmes objektivit 2 (t’i jepet fund urisë, të arrihet siguri ushqimore dhe përmirësim i ushqyerjes si dhe promovimi i agrikulturës së qëndrueshme).
Ndërkohë raporti i referohet shifrave të raportuara nga të gjitha vendet në harkun kohor 2014-2016 , ku 10% i raportuar nga Shqipëria është më i larti në Europë.
Në raport me mesataren e Europës Jugore që këtë tregues e ka sa 1.6% e popullsisë diferenca duket të jetë e lartë. Të njëjtin tregues, Bosnja e ka 1.4% të popullsisë, Mali i Zi 1.8%, kurse Serbia 4.1%. Ndërsa Europa e zhvilluar as që i diskuton më tregues të tillë.
Por çfarë është prevalenca ekstreme e pasigurisë ushqimore? Sipas shpjegimit që bëjnë Kombet e Bashkuara, kemi ndarjen e treguesit në dy kategori. Pasiguri e lehtë dhe pasiguri ekstreme.
Në raport thuhet se ndarja e parë, e lehta ka të bëjë me faktin se individët arrijnë të sigurojnë ushqim të mjaftueshëm, por cilësia dhe vlerat ushqyese që mbart ai janë poshtë standardeve.
Kurse pasiguria e lartë ushqimore do të thotë marrje të ushqimit në nivele më të ulëta sesa kërkohet për të jetuar sipas një standardi të konsideruar normal. Pra individi në këtë rast nuk arrin të konsumojë aq ushqim sa do dhe vlerat ushqimore nuk janë çështje diskutimi.
Ndërsa prevalenca e kequshqyerjes në vend është sa 4.9% e popullsisë totale. Ky tregues jep të dhënat sesa individë nuk arrijnë që të kenë një dietë të balancuar, që u garanton atyre një jetesë të shëndetshme. Edhe kjo shihet në kontekstin e pamundësisë. Pra individët nuk kanë mundësi për të siguruar dietë më të shëndetshme dhe nuk është zgjedhje e tyre. TIRANA TODAY
Raporti i FAO-s: 10% i shqiptarëve nuk sigurojnë ushqim të mjaftueshëm by Tirana Today on Scribd