Komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn është shprehur se Ballkani Perëndimor duhet të shfrytëzojë “momentin e ri” për integrimin në Bashkimin Europian.
Këtë deklaratë e bëri gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministren serbe, Ana Brnabiç dhe shefen e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini.
“Mbi bazën e fjalimit të presidentit të Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, në shtator, ne do të prezantojmë një strategji për Ballkanin në muajin shkurt, lidhur me perspektivën e të gjitha vendeve të rajonit”, tha Johannes Hahn.
Ndërsa shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Mogherini tha se dyert e BE-së janë të hapura për të gjithë Ballkanin Perëndimor, kur secili nga partnerët në rajon të plotësojë kushtet dhe reformat e caktuara.
“Mesazhi i Juncker gjatë fjalimit mbi gjendjen e unionit ishte i qartë. Dera e BE-së për Ballkanin mbetet e hapur për anëtarësime të reja, pasi vendet kandidate të kenë përmbushur kriteret, dhe ne po punojmë që kjo të ndodhë. Gjithmonë kam besuar se e ardhmja e BE-së do të jetë me më shumë se 27 vende”, tha Federica Mogherini.
Gjatë kësaj konference të përbashkët, dy zyrtarët e lartë të Bashkimit Europian theksuan sukseset e qeverisë serbe në konsolidimin e buxhetit dhe kushteve makroekonomike të biznesit, e gjithashtu përkushtimin e vendit për përmirësimin e marrëdhënieve me Kosovën.