Leonardo Frrokaj është kampion vendi në mundje dhe ka marrë pjesë në kampionatin Botërorë të mundjes për peshat 63 kg, që zhvillohet në Slloveni. Gjatë garës Frrokaj ka humbur ndjenjat, pasi ka dëmtuar dy nga vertebrat në shtyllën kurrizore. Pasi ishte fituar në ndeshjen e par, në të dytën ishte duke u përballur me kundërshtarin e tij nga Moldavia, për medalje të artë ose të argjendtë, ku gjatë një ndërhyrjeje ka ndodhur edhe aksidenti i rëndë.
Federata Botërore e Mundjes dhe organizatorët i kanë ardhur në ndihmë sportistit shqiptar, të cilin e kanë transportuar me helikopter në Lubjanë, ku i është nënshtruar një operacioni për rreth 4 orë. Në ndihmë, Frrokajt i ka ardhur edhe ambasadori i Shqipërisë në Slloveni, Pëllumb Qazimi, si dhe diplomatë të tjerë. Për momentin situata shëndetësore mbetet e rëndë, me 17-vjeçarin që qëndron në gjendje kome deri në ndërhyrjen tjetër, me të cilën mjekët po përpiqen që t’i rikthejnë frymëmarrjen natyrale dhe lëvizjen e gjymtyrëve.