Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur t’u urojë sot shqiptarëve një ditë të mbarë pikërisht me një video të publikuar nga vetë ish-ministri Tahiri një ditë më parë.
Bëhet fjalë për një video ku përcillet mesazhi se si njerëzit janë të aftë të besojnë atë që iu thuhet, edhe nëse e vërteta është krejt ndryshe.
Ky mesazh u publikua dje nga Tahiri, i cili falendëroi çdokënd për urimet e ditëlindjes, ndërsa sot në mëngjes ajo u ripublikua nga Rama, i cili shkruan:
MIRËMËNGJES dhe me këtë video të thjeshtë për Mollën, Kazanin dhe Bananen, ju uroj një ditë të mbarë.
MESAZHI NË VIDEO:
“Kjo është një mollë. Disa njerëz mund t’ju thonë juve që kjo është një banane. Ata mund të bërtasin pa pushim: Banane, banane, banane! Ata mund të shkruajnë banane me gërma të mëdha. Ti edhe mund të fillosh të besosh që kjo është një banane, por nuk është, kjo është një mollë”.
Videoja publikohet në një kohë kur çështja Tahiri vijon të jetë e tensionuar, teksa Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimet për të gjetur prova që e implikojnë ish-ministrin me grupin e Habiljave, këta të fundit të arrestuar në Itali për trafik droge.