Një tjetër aksion kombëtar pritet të nisë për sa i përket lidhjeve të paligjshme të ujit.
Ky aksion u paralajmërua nga kryeministri Edi Rama në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të PS-së. Sipas Ramës, po hartohet një reformë e posaçme për prerjen masive të lidhjeve të paligjshme të ujit, ndërsa tha se do u jepet kohë të gjithë personave për të rregulluar këtë gjendje, duke shtuar se aksioni do të fillojë në fillim të vitit të ardhshëm.
“Do të ketë një afat disa mujor për ata që janë në shkelje të kodit penal në raport me furnizimin me ujë. E vjedhin këtë mall që njësoj,por si energjia ai nuk është një mall pa zot dhe nuk mund të jetë më burim i një situate të papranueshme financiare. Sot ne kemi një shembull për tu marrë ku UKT del me fitim. Fitimi garantohet nga ata që paguajnë. Ndërkohë që një pjesë e konsiderueshme e përdoruesve nuk e paguajnë ujin”, tha Rama.
Ndërsa tha që aksioni për ujin do jetë i ngjashëm me atë të energjisë, Rama shtoi se do t’i jepet kohë disa muaj të gjithë atyre që vazhdojnë dhe vjedhin ujin.
“Do t’i japim kohë të rregullojnë gjendjen e tyre dhe në fillim të vitit të ardhshëm të fillojë procesi i penalizimit për ata që mendojnë se uji mund të vidhet”, deklaroi Rama ndër të tjera.