Në një konferencë për media Drejtori për Krimet, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Josif Shtëmbari, bëri të ditur se gjatë 12 orëve të fundit janë arrestuar tre persona me armë, njëri prej tyre në kërkim për disa vepra penale, si dhe një tjetër për “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”.
Kontretisht u ndaluan shtetasit:
– Samuel Ndoka, pasi iu kap me vete një pistoletë me 7 fishekë
– Paolo (Francesk) Marinaj, pasi iu kap me vetë një armë pistoletë, me 7 fishekë si dhe një krehër që e mbante në çantën e krahut me 8 copë fishekë.
Të dy këta persona u arrestuan për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”.
– Altin Mikaj, pasi me automjetin tip ‘Audi’, ka transportuar dhe fshehur të dy personat e sipërcituar, duke i ndihmuar për t’ju shmangur forcave të Policisë. Ndaj tij u mor masa e arrestit në flagrancë për veprën penale “Përkrahje e autorit te krimit”.
Shtetasi Samuel Ndoka, 18 vjeç, banues në Lezhë ishte në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për Ndokën, për veprat penale “Plagosje e lehtë me dashje”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.