27 Tetor 1466- Lind Erazmi i Rroterdamit
Desiderius Erasmus, ishte një humanist, teolog dhe mësues holandez i Rilindjes Evropiane, i cili u bë një figurë udhëheqëse e lëvizjes së hershme humaniste. I cilësuar si një ndër figurat më të diskutueshme të epokës, Erazmi punoi gjatë gjithë jetës për gjetjen e një rruge të mesme, mes katolicizmit romak dhe protestantizmit.
I lindur në periudhën e Reformimit Fetar në Evropë, Erazmi ishte një anëtar i përjetshëm i Kishës Katolike Romake. Ai kishte një respekt të madh për besimin tradicional, dhe besonte në autoritetin e Papës. Megjithatë, u shfaq shumë kritik ndaj abuzimeve brenda Kishës dhe dobësive të klerit. Për këtë arsye u zotua të reformonte katolicizmin nga brenda.
Dijetari holandez bënte jetën e një studiuesi të pavarur klasik. Duke përdorur kontaktet e tij të gjera, ai shkroi disa botime të Dhiatës së Re në latinisht dhe greqisht, gjë që çoi në Reformimin Protestant dhe në Kundër-Reformimin Katolik. Gjatë gjithë jetës së tij, Erazmit iu ofruan shumë pozita akademike në mbarë botën, por ai i refuzoi të gjitha, duke preferuar shpërblimet e pasigurta por të mjaftueshme të aktivitetit të tij letrar të pavarur.
27 Tetor 1553 – Digjet si heretik në turrën e druve Miguel Serveto Conesa
Teologu, mjeku, hartograf dhe humanisti i Rilindjes nga Aragona e Spanjës, Miguel Serveto, qe i pari evropian që përshkroi me saktësi funksionimin e qarkullimit të gjakut në mushkri. Ai ishte një erudit me njohuri në shumë shkenca:matematikë, astronomi dhe meteorologji, gjeografi, anatominë njerëzore, mjekësi dhe farmakologji, jurisprudencë, përkthim, poezi dhe studimin e Biblës në gjuhët hebraike dhe greqishtes së vjetër. Serveto mori pjesë në Reformimin Protestant, dhe më vonë zhvilloi një krishtologji që hidhte poshtë trinitetin. I denoncuar si nga katolikët ashtu edhe protestantët, ai u arrestua në Gjenevë të Zvicrës, dhe u dogj si heretik në turrën e druve.
27 Tetor 1952 – Lind aktori i njohur italian Roberto Benigni
Roberto Benigni, lindi në Castiglion Fiorentino në rrethinat e qytetit të Firences. Ai është një nga aktorët, komedianët, regjisorët dhe skenaristët më të njohur sot në Itali. Një monologist i famshëm, i shquar për humorin e tij të hollë dhe ironinë therrëse, Benigni është një nga artistët italianë më të njohur në botë. Pas sukseseve të para në Itali në fillimin e viteve 1980, në vitin 1999 fiton 2 çmime Oskar, si aktori më i mirë, dhe atë të filmit më të mirë në gjuhë të huaj, për filmin në të cilin ka qenë vetë regjisor, “Jeta është e bukur”.
Ai është i vetmi që e fitoi këtë çmim pas Anna Magnani-it në vitin 1956 dhe Sophia Loren në vitin 1962. Vitet e fundit, Benigni është angazhuar si lexues, interpretues dhe komentator i kryeveprës së Dante Alighierit, “Komedia Hyjnore”, për të cilin u propozua për Çmimin Nobel për Letërsinë në vitin 2007.
27 Tetor 312 – Pereandori romak Konstandini i Madh korr një fitore të madhe kundër perandorit bizantin Maksentius, që kishte një ushtri disa herë më të madhe. Thuhet se ai kishte parë në ëndërr vizionin e kryqit. Krishti i kishte thënë se në betejën e ardhshme, në flamujt dhe në mburojat e ushtarëve të vizatonte shenjën e kryqit, dhe Perëndia do t’i sillte fitoren.
27 Tetor 1999 – Tetë persona, duke përfshirë kryeministrin e vendit, Vazgen Sargsyan dhe kryeparlamentarin Karen Demirchyan u vranë, kur disa persona të armatosur hapën zjarr ndaj anëtarëve të Asamblesë Kombëtare Armene. Personat e armatosur, thanë se ishin atje për të kryer një grusht shteti, dhe se shënjestra e tyre ishte pikërisht kryeministri i vendit. Gjithçka mori fund, kur trupat e ushtrisë armene rrethuan ndërtesën e parlamentit, dhe pas pak orësh personat e armatosur u dorëzuan.
27 Tetor 2005 – Pas vdekjes aksidentale të dy adoleshentëve myslimanë, Zyued Benna dhe Bouna Traore, të cilët po përpiqeshin t’i shpëtonin ndjekjes së policisë, në rrethinat e varfra të Parisit shpërthejnë trazirat, ku mijëra të rinj myslimanë dhe me ngjyrë, protestojnë kundër diskriminimit nga autoritetet shtetërore.
Trazirat vazhduan për 10 ditë më radhë, dhe u shtrinë edhe në qytete të tjera si Lioni, dhe më 10 nëntor Presidenti Jacques Chirac shpalli gjendjen e emergjencës. Trazirat përfunduan me arrestimin e më shumë se 2.500 protestuesve, dhe mbi 8000 automjete të shkatërruara.
27 Tetor 1275 – Themelohet Amsterdami, kryeqyeti aktual i Holandës.
27 Tetor 1806 – Armata franceze nën drejtimin e Perandorit Napoleon Bonapartit hyn në Berlin.
27 Tetor 1810 – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aneksojnë Floridën Perëndimore nga Spanja.
27 Tetor 1867 – Giuseppe Garibaldi marshon drejt Romës me forcat e tij, por ushtria e Papës, e mbështetur nga një forcë ndihmëse franceze, e pengon të hyjë në qytet. Po atë vit, Garibaldi kërkoi mbështetje ndërkombëtare për shpërbërjen e shtetit papnor.
27 Tetor 1922 – Në Itali, kabineti qeveritar liberal i Luigi Facta-s, jep dorëheqjen pas kërcënimeve nga Benito Mussolini se “ose qeveria do të na dorëzohet neve, ose do ta marrim atë me forcë duke marshuar në Romë”. Mussolini bën thirrje për një mobilizim të përgjithshëm të gjithë fashistëve.
27 Tetor 1962- Një avion amerikan i zbulimit amerikan U-2 rrëzohet nga një raketë anti-ajrore mbi Kubë, duke vrarë pilotin, Majorin Rudolf Anderson, viktima e vetme e drejtpërdrejtë e krizës së raketave kubane.
27 Tetor 1962 – Kryeministri Sovjetik Nikita Hrushov, shpreh gatishmërinë e tij për të hequr raketat sovjetike nga Kuba, në rast se Shtetet e Bashkuara zhvendosin raketat e saj nukleare nga Turqia.
27 Tetor 1988 – Presidenti amerikan, Ronald Regan, vendos shembjen e ndërtesës së Ambasadës së SHBA-së në Moskë, për shkak të pajisjeve të përgjimit të nstaluara fshehurazi nga shërbimi sekret sovjetik.