E ardhmja e Philippe Coutinho-s vazhdon të jetë temë e nxehtë në shtëpinë e Liverpoolit.
Në konferencën për shtyp para duelit me Tottenhamit, trajneri Jurgen Klopp u pyet mbi një marrëveshje të mundshme me Barcelonën për transferimin e brazilianit gjatë janarit në “Camp Nou”, por përgjigjja e tij la shumë pikëpyetje.
“Nuk ia kam idenë. Nuk mund të flas tani për këtë çështje”, u shpreh Klopp.
“E imagjinoni dot se çfarë do të ndodhte nëse përgjigjja ime do të ishte po? Tani nuk mendoj dhe nuk duhet të flasim për të ardhmen e Coutinhos”, ka deklaruar Klopp. Fjalë këto që as e pohojnë, por as e mohojnë marrëveshjen. 25-vjeçari ishte shumë pranë Barcelonës në ditët e fundit të merkatos verore, por palët nuk e gjetën gjuhën e përbashkët.
Gjithsesi, te Barca nuk janë tërhequr, duke parë edhe dëshirën e futbollistit, ndaj braziliani do të jetë prioritet në merkaton e janarit. Sipas mediave pranë “blaugranave”, ekziston një marrëveshje mes Liverpulit dhe vetë futbollistit, që ky i fundit të japë kontibut deri në përfundim të pjesës së parë të sezonit, me kusht që klubi ta lejojë t’i bashkohet Barcelonës gjatë janarit.