Në mbarë Evropën dhe Shtetet e Bashkuara, e majta e moderuar është bërë gjithnjë e më shumë viktimë e suksesit të saj të dikurshëm
Imagjinoni një hartë të Evropës, që tregon se cila parti e së majtës apo të djathtës kryeson qeverinë. Njëzet vjet më parë, do të ishte thuajse tërësisht e ngjyrosur në të kuqe, ngjyra tradicionale e socializmit demokratik evropian, që të mos ngatërrohet me “të kuqen e republikanëve” në Shtetet e Bashkuara.
Sot, pas zgjedhjeve të fundit parlamentare në Francë dhe Gjermani, vetëm 5 vende janë të ngjyrosura me të kuqe, midis tyre “gjigantë” të tillë si ishulli i vogël i Maltës. Pastaj është Internacionalja Socialiste. Rënia pasqyron një prirje afatgjatë; duket se tradhton fatin, dhe nuk është thjesht një vithisje në uljet-ngritjet e zakonshme të politikës demokratike.
Merrni Francën. Në periudhën e pasluftës, dominimi alternohej shumë shpesh midis të majtës së moderuar dhe të djathtës po të moderuar. Kohët e fundit, Partia Socialiste e pati “pushtuar” dy herë presidencën, duke çuar në Pallatin Elize François Mitterrand dhe François Hollande. Në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të qershorit, socialistët mezi morën 6.4 përqind të votave.
Në Gjermani, Partia Social Demokrate (SPD), nxirrte dikur në krye te qeverisë figura të nivelit të lartë si Willy Brandt, Helmut Schmidt dhe Gerhard Schröder, duke fituar deri në 46 përqind të mbështetjes kombëtare. Në zgjedhjet e shtatorit që sapo lamë pas, kandidati i saj Martin Schulz ra në pikiatë me vetëm 20.5 përqind të votave, rezultati më i dobët që nga Lufta e Dytë Botërore. Në Itali, Partia Socialiste e dikurshme (PSI), që dominoi politikën italiane të para luftës, dhe ishte pjesë e pushtetit në dekadat e hershme të pasluftës, nuk ekziston më.
Në Holandë, Partia Laburiste (PvdA) kryesoi qeverinë deri më 2002-in. Pastaj u katandis në një partner të vogël dhe të lënë në harresë, duke fituar vetëm 9 vende në zgjedhjet e përgjithshme të këtij viti. Mbështetja e saj elektorale, u zvogëlua nga 19 në më pak se 6 për qind. Në Greqi, PASOK-u ishte dikur një nga dy partitë kryesore – brenda ose jashtë qeverisë. Dikur qe e aftë të merrte edhe 44 për qind të votave, sot është në nivelin 6 për qind. Grekët i kanë vënë një emër kësaj lloj tkurrjeje: “pasokifikim”. Dhe e njëjta prirje shihet ngado, nga gadishulli Iberik deri në Skandinavi, ku socialdemokratët përsosën shtetin modern të mirëqenies sociale.
Finlanda ka tani presidentin e parë konservator në 5 dekadat e fundit. Norvegjia qeveriset nga qendra e djathtë që prej vitit 2013. Në këtë model, duket se ka dy përjashtime. Njëri i çuditshëm është ai i Jeremy Corbyn, Partia Laburiste e të cilit përfundoi vetëm 2 pikë përqindje prapa Konservatorëve, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të qershorit. Kjo rritje e minutës së fundit, nuk duket të flet për një ndryshim të prirjes. Sidoqoftë, Corbyn e arriti këtë rezultat për shkak të një morie votuesish të pakënaqur me të djathtët, që gati e rrëzuan nga pushteti Theresa May. Vota nuk ishte pro-Laburistëve, por anti-May.
Përjashtim tjetër janë Shtetet e Bashkuara, ku Demokratët, versioni amerikan i socialdemokracisë, fituan për dy mandate rresht Shtëpinë e Bardhë me Barack Obama-n, duke e rrëmbyer shumicën e votave popullore edhe në përballjen e fundit Clinton-Trump. Por por të shohësh në thelbin e sistemit, që kur Obama u zgjodh për herë të pare president në vitin 2009, republikanët kanë shtuar 1.000 vende në nivel shtetëror. Tanimë ata kontrollojnë 34 nga 50 postet e guvernatorëve.
Po çfarë ndodhi? “Është historia, budalla!”- do të ankohej Bill Clinton. E majta demokratike u ngrit në pushtet, së bashku me një klasë punëtore në rritje. Këto parti i dhanë një zë masave të reja urbane, duke vepruar si avokate të interesave të tyre. Por klasa e vjetër punëtore, e ushqyer nga industrializimi i shfrenuar, nuk është më. Një statistikë e thjeshtë, e tregon këtë. Në gjysmën e shekullit të kaluar, pjesa e PBB-së që jep krahu i punës ka rënë nga 35 në 15 për qind. Pra demokracia sociale, e ka humbur bazën e saj të konsumatorëve.
E majta demokratike ka humbur gjithashtu duke fituar. Shteti i mirëqenies, është një realitet fakt nga Stokholmi në San Francisko. Qeveritë perëndimore në të gjitha nivelet, mbledhin dhe shpërndajnë rreth gjysmën e PBB-së më shumë në Francë, më pak në Shtetet e Bashkuara. Efekti është pasqyruar në Indeksin Gini, që tregon pabarazinë e të ardhurave. Sipas këtij indeksi, Shtetet e Bashkuara janë shumë më pak të barabarta sesa Gjermania. Ndërkohë shteti i avancuar i mirëqenies, është një ëndërr socialiste që u bë realitet:Ai rishpërndahet nga Pjetri për t’i dhënë Palit më të varfër, duke i rrëmbyer të majtës demokratike bazën e saj të mbështetjes elektorale.
Kjo është arsyeja pse Martin Schulz i SPD-së, garoi në zgjedhje me sloganin e tij të “drejtësisë sociale”:merr nga të pasurit dhe rrit subvencionet dhe shërbimet ndaj më pak fatlumëve. Mjerisht, klientela tradicionale e partisë është shndërruar në klasën e mesme, e cila nuk është e dashuruar me premtimin e shtimit të taksave.
Pra, asgjë tjetër nuk dështon si suksesi. Ndërsa shteti i mirëqenies u zgjerua dhe sektori industrial u tkurr, shanset e së majtës së moderuar perënduan. Megjithatë, kohët e fundit partitë socialdemokrate kanë dalë kundër një armiku të ri. E quajmë populizëm (i cili gjithmonë ka variante të së djathtës dhe të majtës) nën maskën e “Alternativës për Gjermaninë” (AfD), Frontit Kombëtar të Marine Le Pen, ose Partisë Trump.
Ata që dezertuan duke iu bashkuar populistëve të rinj nuk janë vetëm “mjeranët”, siç i përkufizoi Hillary Clinton, por një pjesë e madhe e elektoratit që ndjehej e braktisur nga ajo që Thomas Frank e quan “klasa liberale”. E edukuar dhe e artikuluar, duke dominuar opinionet në media, arsim dhe administratë, kjo klasë ka krijuar një “hegjemoni kulturore”, sa për të evokuar një term të shpikur nga marksisti italian Antonio Gramsci.
Dhe “njeriu i harruar”, siç është njohur në epokën e Ruzveltit, nuk e pëlqen këtë gjë. Pakënaqësitë variojnë nga integrimi, gjuha korrekte dhe politikat ndaj pakicave, tek hapja e kufijve për mallrat dhe njerëzit. SHBA-ja përballen me emigrantët pa dokumente që dynden nga kufijtë e saj jugorë. Vetëm Gjermania pranoi 1.2 milionë emigrant nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut.
Italia ballafaqohet me një fluks refugjatësh nga Libia. “Po me ne çdo të bëhet?”- pyesin të ashtuquajturit mjeranë. Këta njerëz nuk shkruajnë dot editoriale të hapura nëpër gazeta, por shprehen në zgjedhje me votë. Dhe tani ata kanë Marine Le Pen dhe Donald Trump. Ose UKIP-in në Britani, Geert Ëilders në Holandë, dhe AfD-në në Gjermani.
Por pse e majta e moderuar, nuk mund të ndryshojë në një mënyrë konkurruese dhe të ofrojë një meny të re për “dezertorët” e saj? Sepse receta e vjetër e welfarism-it, nuk po e mposht dot nacionalizmin mbrojtës që ka prekur të gjithë Perëndimin.
Shënim: Josef Joffe është anëtar i komitetin ekzekutiv në “American Interest”. Ai është pjesë e bordit editorial të gazetës gjermane “Die Zeit”, dhe anëtar i Institutit Hoover të Universitetit të Stanfordit në SHBA.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce











