Fushata Ndërkombëtare për Zhdukjen e Armëve Berthamore ka fituar sot çmimin Nobel për Paqen.
“The International Campaign To Abolish Nuclear Weapons” (ICAN) u zgjodh fituese e këtij çmimi nga Akademia e Norvegjisë, ndërmjet më shumë se 300 nominimeve.
Organizata e merr këtë çmim për punën e saj për të tërhequr vëmendjen ndaj pasojave katastrofike humanitare të çdo përdorimi të armëve bërthamore dhe për përpjekjet e saj për të arritur ndalimin e përdorimit të armëve të tilla.
Në deklaratën e bërë nga faqja zyrtare e Çmimeve Nobel, përmendet edhe rreziku i përdorimit të armëve bërthamore nga Koreja e Veriut:
“Ne jetojmë në një botë ku rreziku nga përdorimi i armëve bërthamore është më i madh se sa ka qenë shumë kohë më parë. Disa shtete po modernizojnë arsenalet e tyre bërthamore dhe ekziston një rrezik real që shumë shtete të përpiqen të sigurojnë armë bërthamore, siç është rasti i Koresë së Veriut.
Armët bërthamore përbëjnë një kërcënim të vazhdueshëm për njerëzimin dhe gjithë jetën në tokë. Përmes marrëveshjeve ndërkombëtare të detyrueshme, bashkësia ndërkombëtare ka miratuar më parë ndalime kundër minave tokësore, municioneve thërrmuese dhe armëve biologjike e kimike. Armët bërthamore janë edhe më shkatërruese, por ende nuk janë bërë objekt i një ndalimi të ngjashëm ndërkombëtar.
Nëpërmjet punës së saj, ICAN-i ka ndihmuar për të mbushur këtë boshllëk ligjor. Një argument i rëndësishëm në arsyetimin për ndalimin e armëve bërthamore është vuajtja e papranueshme njerëzore që do të shkaktojë një luftë bërthamore. ICAN është një koalicion i organizatave joqeveritare nga rreth 100 vende të ndryshme anembanë globit.”
Çmimi u shpall në Oslo mëngjesin e së premtes, ndërsa Komiteti i Norvegjisë për cmimet Nobel nuk ka dhënë emrat e të nominuarve, por deklaroi se mes tyre ishin 215 persona dhe 103 organizata.
Çmimi shpallet në tetor, por dorëzohet gjithnjë më 10 dhjetor, në përvjetorin e vdekjes së Alfred Nobel.