Çmimet Nobel, janë më prestigjiozet në botë, çka e bën të kuptueshme pse shpalljet e tyre janë gjithmonë një lajm i rëndësishëm ndërkombëtar, dhe të gjithë kanë një opinion mbi to, pavarësisht nëse janë të kënaqur apo jo. Ndërsa kryesisht u janë akorduar njerëzve që i kanë merituar ato, dhënia e çmimeve Nobel vazhdon të shoqërohen çdo vit nga polemika. Disa nga këto të fundit, nuk janë domosdoshmërish të drejtpërdrejta.
Zakonisht i komiteti i dhënies së këtyre çmimeve, refuzon të marrë në konsideratë heqjen e një çmimi që ka dhënë më herët. Për shumë njerëz, kjo është një qasje jashtëzakonisht e çuditshme, për shkak të vendimeve të diskutueshme që janë marrë jo rrallë. P.sh çmimin Nobel për paqe e kanë fituar njerëz si Jaser Arafat, pozicioni i të cilit në krye të Autoritetit për Çlirimin e Palestinës ka qenë i diskutueshëm, për shkak të dyshimeve për përfshirje dhe organizim të akteve terroriste.
Gynter Gras
Shkrimtari gjerman, Gynter Gras, fitoi pak vite më parë çmimin Nobel në Letërsi. Për njëfarë kohe, ai ishte një figurë e respektuar në botën letrare, në një kohë që pati një mbështetje të madhe edhe në Gjermani për mendimet e tij politike. Ai besonte se vendi duhej të përballej me atë që kishte bërë në të shkuarën e tij të afërt, dhe të mos e fshihte atë.
Megjithatë, pavarësisht këtyre pikëpamjeve, figura e tij ishte ende e diskutueshme për antisemitizmin e tij të supozuar. Gjithçka filloi, kur vetë Gras pranoi disa vjet më pas se gjatë Luftës së Dytë Botërore kishte qenë anëtar i SS-ve nazistë. Ndërsa kjo dëshmi shkaktoi fillimisht njëfarë trazimi, njerëzit ishin të gatshëm t’a falnin, duke pasur parasysh se asokohe ai nuk qe akoma i rritur.
Megjithatë, një poemë që shkroi disa vjet më parë, e riktheu në vëmendjen ndërkombëtare, por nën një dritë negative. Ndërsa poema qartazi nuk përmbante asnjë paragjykim ndaj popullit hebre në përgjithësi, ajo është jashtëzakonisht kritike ndaj Izraelit. Nga përkthimi i poemës, dilte e qartë që Gras besonte se Izraeli është një vend agresiv, dhe ka të ngjarë të jetë po aq i rrezikshëm, apo edhe më i rrezikshëm, sesa Irani.
Shkurt, ai besonte se Izraeli është një komb i paqëndrueshëm me kapacitete bërthamore, dhe se është hipokrite ta ndëshkosh Iranin për programin e tij bërthamor, dhe jo Izraelin. Sigurisht, qeveria izraelite reagoi ashpër ndaj kësaj poeme, ndërsa Gras pati frikë se do të etiketohej si antisemit.
Refuzimi i çmimeve Nobel
Ndonëse është diçka e rrallë, ndonjëherë çmimet Nobel refuzohen për një arsye apo një tjetër. Në ndonjë rast të rrallë dhe të famshëm, është refuzuar vetë çmimi Nobel për Paqe.
Ky çmimi iu dha si Henri Kisingerit ashtu edhe Le Duc Tho nga Vietnami, për shkak të armëpushimit të nënshkruar midis Vietnamit të Veriut dhe Jugut.
Por vendimi nuk kaloi pa debate. Dy anëtarë të komitetit dhanë dorëheqjen në shenjë proteste, megjithëse nuk u bë asnjëherë e qartë se cilin nga dy emrat kontestonin, në një kohë që Kisinger nuk shkoi personalisht për të pranuar “gjysmën” e çmimit të tij. Ndërsa Le Duc Tho refuzoi ta tërheqë këtë çmim.
Rastet e refuzimit kanë një histori më të gjatë se sa kaq. Shkrimtari sovjetik Boris Pasternak, autori i romanit të famshëm “Doktor Zhivago”, u shpall fitues i Çmimit Nobel për letërsi, por ky çmim zemëroi autoritetet sovjetike, që mendonin se kryeveprat e Pasternakut i bënin ata të dukeshin të këqij në sytë e botës, dhe për këtë arsye nuk kishin lejuar që romani të shpërndahej në Rusi.
Në këto kushte, Pasternak fillimisht e pranoi çmimin, por menjëherë u përjashtua nga Lidhja e Shkrimtarëve të Bashkimit Sovjetik, ndërsa një javë më vonë ndryshoi “vullnetarisht” mendje, dhe e refuzoi çmimin. Si zakonisht, komiteti i Nobelit refuzoi tërheqjen e këtij çmimi. Ai nuk mund të kishte një ceremoni për ftuesin, por e konsideron ende Pasternakun si fitues të Çmimit Nobel në Letërsi.
Skandali korruptiv i “AstraZeneca”
Në vitin 2008, çmimi Nobel në Mjekësi iu dha doktor Harald Zar Hausenit, për kërkimet e tij mbi kancerin e qafës së mitrës. Ai kishte zbuluar se në shumicën e rasteve, pacientja kishte kontraktuar më parë papillomavirusin njerëzor (HPV), dhe provoi lidhjen mes virusit dhe sëmundjes.
Por arritja e tij u zbeh shumë shpejt, nga një skandal i mundshëm korrupsioni. Nga hetimet doli se kompania që zotëronte shumicën e vaksinave për trajtimin e HPV-së ishte “AstraZeneca”, e cila do të mund të fitonte potencialisht shumë të ardhura nga ky zbulim, pasi produktet e saj do të shiheshin si shumë më të rëndësishme dhe të dobishme.
Kjo kompani sponsorizonte si televizionin Nobel Media, ashtu edhe dhe uebsajtin zyrtar Nobel Web, ndaj shumë shpet nisi një hetim penal. Ndërsa ky sponsorizim nuk ndikonte drejtpërsëdrejti tek çmimet, ka të ngjarë që anëtarët e komitetit të kenë ndonjë lloj përfitim financiar nga çdo gjë që të bëjë me kompaninë farmaceutike. Si për t’i përkeqësuar gjërat, dy nga anëtarët e komisionit që zgjodhën fituesin kishin lidhje me kompaninë, dhe një prej tyre ishte anëtar i bordit të drejtorëve.
Hitleri ndaloi më ligj tërheqjen e çmimeve Nobel nga shkencëtarët gjermanë
Adolf Hitleri, është ndoshta personazhi më i lig në historinë e kohëve të fundit, dhe të gjithë janë të vetëdijshëm për krimet e luftës dhe mizoritë e tjera për të cilat ai është përgjegjës. Në vitin 1936, ai zbuloi se një çmim Nobel që ishte akorduar Karl von Osieckit, një gazetar i burgosur në një nga kampet e tij të përqendrimit, për shkak se kishte ekspozuar programin e fshehtë të riarmatimit të Gjermanisë.
Hitleri miratoi një ligj për të parandaluar çdo gjerman nga marrja sërish e çmimit Nobel.
Kjo ishte e papërshtatshme për Gjermaninë, si dhe disa për shkencëtarë që punonin mbi projekte të ndryshme brenda kufijve të saj në atë kohë. Vetëm pak vite më vonë, tre çmime Nobel në shkencë iu dhanë shkencëtarëve gjermanë, por për shkak të dekretit të Hitlerit, ata nuk ishin në gjendje t’i merrnin ato.
Shumëkush pretendon se pas këtij urdhri absurd, qëndronte xhelozia e udhëheqësit nazist ndaj fituesve të çmimit Nobel, dhe faktit që atij vetë nuk ishte ofruar një çmim i tillë prestigjioz. Historianët thonë se në çdo rast, shanset e Hitlerit për ta marrë atë çmim qenë jashtëzakonisht të pakta, por një njeri me një ego kaq të madhe sa Fyhreri, mund t’i ketë parë gjërat ndryshe.
Debati mbi paragjykimet eurocentrike në letërsi
Komiteti i çmimeve Nobel, nuk ka qenë kurrë i imunizuar nga debatet, por kjo ndodh zakonisht kur bëhet fjalë për një çmim të nivelit të lartë si ai Nobel për Paqen. Por disa vite më parë, Horas Engdal, sekretari e komitetit të çmimit Nobel për Letërsinë, shkaktoi jo pak debate kur e bëri të qartë se nuk priste që amerikanët ta fitonin këtë çmim për një kohë të gjatë, pasi ai ndjente se fokusi i shkrimtarëve amerikane qe shumë lokalist, dhe se këta të fundit nuk ishin mjaftueshëm të aftë të kuptonin tabllonë më të madhe që ishte letërsia.
Ai madje u shpreh pa mëdyshje, se besonte ende se Evropa është “qendra e botës letrare”, çka përbën në thelb një pranim të hapur të paragjykimeve. Jo shumë kohë pas komenteve të tij, Engdal u zëvendësua nga një sekretar i ri, i cili deklaroi publikisht se besonte se problemi nuk ka të bëjë me shkrimet e vendeve të tjera, por me komitetin e Nobelit. Ai mendon se anëtarët e tij kanë një paragjykim eurocentrik kur është fjala për letërsinë, për shkak se janë shumë me të njohur me të.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce