Arlind Ajeti është duke kaluar një formë mjaft të mirë që pas largimit nga Torino, për tu bashkuar me Crotone. Ai është përzgjedhur për të tretën herë në 6 javët e para në formacionin më të mirë të javës nga faqja e specializuar e futbollit italian, Tuttomercatoëb. Mbrojtësi kuqezi ishte një nga më të mirët në fushë për skuadrën e tij gjatë sfidës së fituar kundër Beneventos, duke i siguruar Crotones një 3 pikësh me shumë vlera në betejën e mbijetesës. Në fakt, Crotone është skuadra më e përfaqësuar në 11-ëshen e javës së gjashtë pasi Ajeti rreshtohet në mbrojtje bashkë me Mondragoran dhe Rohden në mesfushë. Ai vlerësohet me notën 7 pasi nuk gaboi pothuajse në asnjë ndërhyrje gjatë 90 minutëshit të luajtur në Kalabri, duke fshirë edhe paraqitjen zhgënjyese në Bergamo kundër Atalantës.
Pak javë më parë 24-vjeçari “zhduku” nga fusha Mauro Icardi-n duke lënë mbresa të jashtëzakonshme për 60-të minutat që qëndroi në fushën e lojës. Një dëmtim i ndërpreu atë sfidë të mrekullueshme duke rrezikuar edhe të tjerat më pas, por qendërmbrojtësi nuk rrezikoi asgjë duke u kthyer menjëherë dhe tashmë duke bërë “shterpë” të gjithë repartin e sulmit të Benevento-s.
Ajeti ishte ndër më të mirët në fitoren 2-0 kundër skuadrës së Memushajt dhe për këtë arsye është përzgjedhur në 11-shen më të mirë. Formacion në të cilën bëjnë pjesë dhe emra si Pjaniç, Dybala, Dzeko dhe Imobile.