Cleveland Cavaliers është ekipi favorit për të marrë Dwyane Wade, pas marrëveshjes së arritur nga 35-vjecari nga Illinoisi për t’u larguar nga skuadra e Chicago Bulls. Pas bisedimeve të zgjatura dhe përpjekjeve të shumta sipas ESPN Wade ka rënë dakord ditën e hënë për të hequr dorë nga 8 milionë, prej rrogës 23,8 milionë dollarë, për të lënë franchise-n e Chicago-s pas vetëm një sezoni. Veteranin nga Illinoisi e lidh prej shumë vitesh një miqësi e fortë me lojtarin më të mirë të NBA LeBron James, me “Mbretin James” që tentoi ta rekrutonte numrin 3 që sezonin e kaluar, por Cavs asokohe nuk kishin hapësirën e nevojshme për shkak të rregullit të “salary cap”. Sipas po të njëjtim burim James dhe Wade kanë diskutuar shpesh edhe këtë verë në lidhje me një transferim të mundshëm te “franchise” nga Ohio, sidoqoftë përveç Cleveland Cavaliers interes kanë shfaqur edhe skuadra të tilla si San Antonio Spurs, Miami Heat dhe Oklahoma City Thunder. Dwyane Wade ka një raport të shkëlqyer gjithashtu edhe me Carmelo Anthony-n, që tashmë është zyrtarisht lojtar i Oklahoma-s, teksa u shkëmbye nga New York Knicks me dyshen e “Thunder” Enes Kanter – Doug McDermott si dhe një përzgjedhje në draft nga raundi i dytë. Në një intervistë për Associated Press Wade deklaroi se do të vendosë shumë shpejt në lidhje me të ardhmen e tij.
Veterani nga Illinoisi shpjegoi që këto ditë do të flasë me lojtarë të ndryshëm si dhe me një sërë ekipesh, por gjithsesi Wade e bëri të qartë që vendimi i tij nuk ka lidhje me asgjë tjetër përveçse me basketbollin. Wade pati një mesatare prej 18,3 pikësh, 4,5 rebound si dhe 3,8 asist për ndeshje, gjatë sezonit të kaluar me Chicago Bulls, sidoqoftë 3 herë kampioni i NBA me “franchise”-n nga Florida në vitet 2006, 2012 e 2013 rrëfeu se do të përpiqet të bëjë zgjedhjen që i përshtatet më mirë në këtë pjesë të karrierës, duke patur parasysh gjithashtu edhe mundësitë e tij dhe atë çfarë pretendohet nga skuadra e tij e ardhshme. Përsa i përket Bulls “franchise” nga Chicago pasi largoi Jimmy Buttler në muajin qershor dhe preferoi të mos rinovojë me Rajon Rondo-n humbet kështu edhe shërbimet e Dwyane Wade, sidoqoftë lajmi i mirë në Illinois është që ditën e dielë të paktën u arrit marrëveshja për të shtyrë qëndrimin e 26-vjecarit nga Podgorica Nikola Mirotic, që ishte me statusin “free agent”.