Kryesia e BDI-së ka caktuar kandidatët për kryetarë komunash dhe listat e këshilltarëve për pushtetet vendore në komunat ku marrin pjesë.
Drejtuesi i Shtabit Qendror Zgjedhor të BDI-së, Fatmir Besimi, ka dhënë detaje lidhur me këto lista.
Sipas tij, në zgjedhjet e 15 tetorit, BDI do të garojë me 18 kandidatë për kryetarë në Komunat e Likovës, Haraçinës, Çairit, Shuto Orizarës, Studeniçanit, Sarajit, Zhelinës, Tearcës, Jegunovcës, Tetovës, Bogovinës, Vrapçishtit, Gostivarit, Dibrës, Kërçovës, Pllasnicës, Dollnenit dhe të Strugës.
Ndërkohë, në Bërvenicë BDI nuk ka një kandidat të sajin, por do të mbështesë kandidatin e pavarur.
“Bashkimi Demokratik për Integrim në këto zgjedhje merr pjesë me 35 lista këshilltarësh, nga të cilat tre janë të përbashkëta me parti politike shqiptare: në Ohër, Manastir dhe në Gazi-Babë. Në dy të parat, listat kryesohen nga kandidatët tanë.
Me një fjalë, ne në këto gara hyjmë me 729 kandidatë për këshilltarë komunal. Listat janë reflektim i vullnetit të qytetarëve nëpër komuna dhe rezultat i konsultimeve të gjera me degë e këshilla vendorë. Kandidatë posedojnë kredibilitet personal dhe profesional dhe vizion të qartë për të ardhmen e komunave”, ka thënë Besimi në takimin e parë të Shtabit Qendror.