Ekonomia gjermane mund të humbasë vrullin në gjysmën e dytë të këtij viti, pas marshimit të 6 muajve të parë, thotë vetë ministria gjermane e ekonomisë.
Shpenzimet konsumatore dhe prodhimi industrial pritet të ulen ndjeshëm gjatë kësaj periudhe kohore, duke nxitur edhe përkeqësimin e projeksioneve.
Pavarësisht kësaj, ekonomia më e madhe e Evropës po marshon, dhe duket se nuk ka ndërmend që të ndalet. Papunësia është pranë nivelit rekord minimal, pagat po rriten ndjeshëm, ndërkohë që konsumatorët nuk kanë asnjë arsye përse mos të shpenzojnë, shkruan Scan Tv.
“Ekonomia gjermane do të vazhdojë të rritet gjatë gjysmës së dytë të vitit, paçka se dinamika do të jetë me shumë gjasa më e dobët”, thotë Ministria e Ekonomisë. Konsumi privat do të vijojë të mbetet një motor mjaft i rëndësishëm i rritjes ekonomike, thotë ministria.
Raporti i ministrisë është në linjë me të dhënat më të fundit që flasin për dobësim të kërkesës së brendshme në sektorin industrial dhe rënie të shitjeve me pakicë.