Vilma Dule është 27-vjeçarja nga Vlora, e cila vendosi të bëjë publike historinë e saj mjaft prekëse, por edhe inkurajuese.
Para 4 vitesh, më 27 gusht 2013, Vilma u sulmua me acid në fytyrë nga një i panjohur. Ajo punonte si menaxhere e burimeve njerëzore në një call center, kur dikush e sulmoi me acid sapo ishte duke dalë nga shtëpia, ditë kjo që i ndryshoi jetën.
Sot, Vilma ka gjetur forcën ta bëjë publike historinë e saj, duke postuar foto të fytyrës për të dhënë një mesazh të madh: Çfarëdo që të ndodh, mos u anko për fatin e hidhur, por ngrihu, ndrysho fatin tënd dhe jetoje jetën!
“Sot, jam një grua që nuk ka më dëshirë të fshihet, sepse nuk ka më frikë.
Sot, jam një Grua që ka zgjedhur të mos frikësohet nga stereotipet e bukurisë, sepse e di se bukuria e vërtetë i përket atij që ka një shpirt të pastër dhe që është në paqe me ndërgjegjen e vet”, shkruan ndër të tjera Vilma.
4 vite pas ngjarjes së rëndë, vajza e fortë nga Vlora ka këtë mesazh:
4 vjet më parë, më 27 gusht 2013, një burrë më sulmoi me acid teksa po dilja nga shtëpia për të vajtur në punë. Ishin të shumtë ata që mendonin se s’do t’ia dilja të ringrihesha pas kësaj goditjeje të rëndë. Nuk e mohoj, e kam menduar dhe vetë ndonjëherë këtë gjë. Por, sa herë që isha gati të dorëzohesha, i kujtoja vetes se sa e bukur ishte dhurata e të rilindurit për herë të dytë dhe që nuk duhej ta ‘shpërdoroja’ duke u ankuar e duke qarë për fatin tim të hidhur. Përkundrazi, duhej të luftoja për të ndryshuar pikërisht atë, rrjedhën e Fatit.
Sot, pas 4 vitesh, jam një Grua e vetëdijshme për forcën e saj, sepse e di që limitet e vërteta janë ata që ne i vendosim vetë vetes.
Sot, jam një grua që nuk ka më dëshirë të fshihet, sepse nuk ka më frikë.
Sot, jam një Grua që ka zgjedhur të mos frikësohet nga stereotipet e bukurisë, sepse e di se bukuria e vërtetë i përket atij që ka një shpirt të pastër dhe që është në paqe me ndërgjegjen e vet.
Sot, jam një grua që i dashuron vragat në fytyrë sikur të ishin rrënjët e saj.
Unë jam Vilma Dule dhe kjo është historia e një gruaje që nuk u dorëzua kurrë.