Marrëveshja e Serbisë me Kosovën do të jetë e mundur vetëm pas hyrjes së Serbisë në Bashkimin Evropian. Kështu ka deklaruar kreu i Iniciativës Qytetare Serbe, SDP Oliver Ivanoviç.
Në një intervistë për për televizionin N1, politikani serb kujtoi se ai mbështeti idenë e Presidentit Aleksandar Vuçiç për dialogun e brendshëm mbi Kosovën dhe i kërkoi atij që të jetë më këmbëngulës sesa paraardhësit e tij Tadiç dhe Koshtunica.
“Dy të parët nuk ishin këmbëngulës. Kjo nuk është e mirë. Vuçiç duhet të hapë debate serioze”, tha Ivanoviç.
Udhëheqësi i SDP rikujton se në vitin 2006 ai propozoi një model qipriot për Kosovën, jo si një model statusi, por si model i zgjidhjes së konfliktit.
Ivanoviç tha se nuk bëhet fjalë për një “konflikt të ngrirë”, siç pretendohet nga Vuçiç, duke shtuar se një model i tillë, përveç në rastin e Qipros, në BE është aplikuar edhe në rastin e Mbretërisë së Bashkuar – d.m.th si Qipro që është pranuar në anëtarësim me status të pazgjidhur të pjesës veriore të ishullit, ashtu edhe Britania është bërë anëtare e BE-së, derisa çështja e Irlandës së Veriut ende nuk ka qenë e zgjidhur, shkruan Klan Kosova.
Prandaj, Ivanoviç beson se Serbia duhet gjithashtu që të pranohet në BE si një vend gjithëpërfshirës, së bashku me Kosovën.