“Serbia duhet të arrijë një marrëveshje përfundimtare me Kosovën”, kështu është shprehur lideri i Partisë Liberale Demokratike në Serbi, Çeodmir Jovanoviç duke theksuar se kjo marrëveshje është e nevojshme, por edhe e mundshme.
“Marrëveshja për Kosovën është e nevojshme dhe e mundur. Këtë ua kemi borxh, së paku, fëmijëve tanë”, ka deklaruar Jovanoviç, i cili është ndër politikanët e paktë serbë që ka pasur kurajon të thërrasë udhëheqjen e Serbisë që ta pranojë realitetin dhe të punojë për krijimin e marrëdhënieve normale midis Kosovës e Serbisë.
Para pak ditësh, ai i bëri thirrje edhe presidentit serb Aleksandar Vuçiç, që t’ia ndalojë ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiç, që të japë deklarata që pengojnë normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Ky i fundit ka përsëritur shpesh tezën e tij për ndarjen e Kosovës, “mes serbëve dhe shqiptarëve”.
Kjo tezë është quajtur e dëmshme në mesin e politikanëve serbë, si dhe në mesin e analistëve dhe intelektualëve serbë, duke hasur mjaft kritika nga këta të fundit.