Judy Dempsey, “Carnegie Europe”/Angela Merkel e ka të qartë axhendën e verës së saj. Pas një pushimi të shkurtër, kancelarja gjermane do të rikthehet në punë dhe do të vazhdojë përpara me fushatën për zgjedhjet parlamentare të muajit shtator. Merkel po kërkon një mandat të katërt qeverisës. Deri tani, sondazhet e opinionit publik tregojnë se këto zgjedhje mund të jenë një triumf i sigurt për Unionin Kristian Demokrat (CDU) dhe partinë e saj simotër, Unionin Bavarez Kristian Socialist.
Por Merkel nuk po e lë gjithçka në duart e shanseve që ka. S’ka kurrfarë ndjenje vetëkënaqësie, qoftë në Kancelari apo në selinë qendrore të CDU-së në Berlin. Merkeli dëshiron të fitojë. Ajo dëshiron gjithashtu që liberalët e Demokratëve të Lirë nën udhëheqjen e liderit të tyre karizmatik, Kristian Lindner, të rrikthehen në parlamentin gjerman pas një mungese 4-vjeçare.
Por edhe nëse kjo ndodh, ajo mund të ketë nevojë për të gjelbrit për të mundur të qeverisë sërish Gjermaninë, gjithnjë duke supozuar se blloku i saj konservator do të mbetet grupi më i madh parlamentar në Bundestag. Cilido qoftë rezultati i zgjedhjeve, Gjermania do të duhet t’i japë fund pavendosmërisë së saj rreth drejtimit të Evropës.
Merkel dhe ministri gjerman i Financave, Volfgang Shojble, kishin dikur luksin të shtynin vendimet e vështira për të ardhmen e BE-së, pasi nuk kishin konkurrencë nga udhëheqësit e tjerë evropianë. Por zgjedhja e Emanuel Makron si president i Francës, ka ndryshuar gjithçka. Ky i fundit ka ambicie të mëdha për vendin e tij dhe për Bashkimin Evropian.
Në rast se do të arrijë ta futë ekonominë franceze në shinat e një rritje të ndjeshme ekonomike, Makron mund të ushtrojë më shumë ndikim politik në BE. Franca, Gjermania dhe vendet e tjera të eurozonës, do të duhet të vendosin se si të integrohen më tej në kuadër të unionit.
Nëse kjo do të nënkuptojë emërimin e një ministri të Financave të BE-së, një lloj bashkimi bankar apo një Evropë formale me dy shpejtësi, kjo do të merret vesh gjatë samiteve që Makron dëshiron të mbledhë pas zgjedhjeve gjermane. Ndërkohë, integrimi politik do të jetë edhe më i vështirë.
Sfida e krizës së refugjatëve dhe emigracionit në Evropë, e ka dobësuar Komisionin Evropian, ndërkohë që vendet anëtare të BE-së përplasen shpesh me komisionin por edhe midis tyre. Është e vështirë ta shohësh Hungarinë apo Poloninë, të bien dakord me idenë e një Evrope më të integruar, duke pasur parasysh pikëpamjet e tyre mbrojtëse mbi sovranitetin, skepticizmin që kanë mbi rolin e KE, dhe përçmimin ndaj ndikimit të Gjermanisë, të cilën si Varshava dhe Budapesti e perceptojnë si dominuese në Bashkimin Evropian.
Megjithatë, disa nga vendet e mëdha, duke përfshirë Francën dhe Gjermaninë, janë të kujdesshme në lidhje me ekspansionin e integrimit politik, dhe kjo jo vetëm për shkak se populistët mund ta denoncojnë atë si një përpjekje për të ndërtuar një Evropë federale.
Logjikisht, më shumë integrim nënkupton dhënien e kompetencave mbi çështjet e mbrojtjes, sigurisë dhe politikës së jashtme Komisionit Evropian. Me pak fjalë, integrimi i mëtejshëm kërkon një hap të madh besimi të thellë nga shtetet anëtare, tek aftësia e komisionit për të menaxhuar si duhet këto fusha delikate.
Ndërsa vera po mbaron, çdo debat rreth integrimit politik mund të prapësohet si pasojë e konfliktit të vazhdueshëm midis shteteve anëtare, lidhur me mënyrën se si duhet trajtuar kriza e emigrantëve. Italia është duke vuajtur më shumë pasojat e kësaj situate. Mijëra emigrantë po mbërrijnë në brigjet e saj çdo javë.
Kjo gjendje, e kombinuar me dështimin e BE-së për të zbatuar një politikë koherente mbi emigracionin, ekonominë jashtëzakonisht të brishtë të Italisë, dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare në vend, tregon nevojën për më shumë integrim.
Por në rastin më të keq, këta faktorë janë gjithashtu dëshmi e rrezikut të shpërbërjes së mundshme të Evropës së bashkuar. Brexit i ka shkaktuar BE-së disa lëkundje, por edhe njëfarë besimi të përtërirë. Por ky besim do të zbehet, në rast se udhëheqësit e unionit do të rikthehen nga pushimet e tyre verore, me besimin naiv se problemet e tjera të mëdha do të jenë zhdukur vetvetiu. Kjo gjë s’ka për të ndodhur.
Dhe as me çështjen e digjitalizimit. Kjo e fundit, është një temë që disa liderë të BE-së e shmangin enkas, pasi e njohin ndikimin shkatërrues të teknologjisë mbi vendet e punës, arsimin dhe konkurrencën, dhe mbi të gjitha faktin që digjitalizimi do të ndikojë tek struktura e shoqërisë dhe roli i shtetit.
Pra, teksa presidenti rus Vladimir Putin do të vazhdojë përpjekjet e tij për të përçarë aleancën transatlantike, dhe administrata e presidentit amerikan Donald Tramp do të vazhdojë të minojë ndikimin global të Amerikës, udhëheqësit evropianë duhet të kuptojnë se vetëkënaqësia intelektuale dhe politike, nuk janë më opsione për anën e tyre të Perëndimit.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce