1816 – Lord Bajroni u lexon Fantasmagorinë katër të ftuarve të tij në Vilën Diodati, afër liqenit Gjeneva, ku banonte. Miqtë e ftuar ishin Percy Shelley, Mary Shelley, Claire Clairmont, dhe John Polidori. Bajron i sfidon ata për të shkruar një histori me fantazmë; dhe gara kulmoi me Mary Shelleyn që shkroi romanin Frankenstein.
1858 – Në Springfield, Illinois, gjatë fushatës për në Kongres, Abraham Lincoln mban fjalimin e tij mbi “shtëpinë e përçarë”, ndërsa vendi ishte përfshirë në debate të ashpra lidhur me çështjen e skllavërisë: “Një shtëpi e përçarë në vetvete nuk mund të qëndrojë, nuk mund të durojë, përgjithmonë, gjysmë rob dhe gjysmë e lirë. Nuk pres që Bashkimi të shpërbëhet – nuk pres që shtëpia të bjerë – por shpresoj se do të pushojë të jetë e ndarë. Kjo shtëpi ose do të bëhet një e vetme ose çdo gjë tjetër…”
1904 – Shkrimtari irlandez James Joyce fillon marrëdhënie me Nora Barnacle dhe më pas shkrimtari do ta përdorë këtë datë në romanin e tij, Ulysses (ngjarjet e romanit zhvillohen me 16 qershor me protagonistin Leopold Bloom). Ndërsa në Dublin, Norah u takua me James më 10 qershor 1904, vetëm më 16 qershor vendosën lidhjen e tyre të parë romantike. Kjo datë tradicionalisht festohet në mbarë botën si Bloomsday. Takimi i 16 qershorit 1904 përfundimisht çoi në martesë në vitin 1931 dhe pa ndërprerje deri në vdekjen e Joyce. Në Bloomsday 1982, viti njëqindvjeçar i lindjes së Joyce, një stacion radioje irlandeze transmetoi pa ndërprerje për 30-orë të gjithë tekstin e Uliksit në formë dramatizimi.
1940 – Një qeveri komuniste u instalua nga sovjetikët në Lituani.
1944 – Në moshën 14 vjeçare, George Junuis Stinney bëhet personi më i ri që ekzekutohet në Shtetet e Bashkuara në shekullin e 20. Stinney, afrikano-amerikan nga Karolina e Jugut, u dënua për vrasjen e dy vajzave të bardha 8 dhe 11 vjeçare; asnjë provë fizike nuk ekzistonte; prova e vetme kundër Stinneyt ishte fakti se vajzat kishin folur me të dhe motrën e tij pak kohë para vrasjes së tyre, si dhe dëshmia e tre policive të bardhë, në një gjykim që zgjati më pak se 2 orë. Stinney u ekzekutua me karrige elektrike. Çështja Stinney, dhe procesi gjyqësor që çoi në ekzekutimin e tij janë cilësuar si “jashtëzakonisht të dyshimta dhe dështim i plotë i drejtësisë”.
1958 – Imre Nagy, Pal Maleter dhe udhëheqës të tjerë të kryengritjes anti-komuniste hungareze të vitit 1956 ekzekutohen.
1981 – Presidenti amerikan Ronald Reagan nderon me Medaljen e Artë të Kongresit, ish-ambasadorin e Kanadasë në Iran, Ken Taylor, për ndihmën që u dha 6 amerikanëve për të ikur nga Irani gjatë krizës së pengjeve të 1979-1981; Ken Taylor është shtetasi i parë i huaj i nderuar me këtë medalje amerikane.
1989 – Revolucionet e vitit 1989: Imre Nagy, ish-kryeministri hungarez, rivarroset në Budapest pas rënies së komunizmit në Hungari.
2010- Aktori shqiptar, Bekim Fehmiu ndërroi jetë. Autoritetet serbe thanë se aktori kreu vetëvrasje, pasi aktori ka qenë i sëmurë. Bekim Fehmiu, u lind më 1 qershor 1936 në Sarajevë, kurse fëmijërinë dhe rininë e ka kaluar në Prizren.
Një nga aktorët më të njohur të ish-Jugosllavisë, Bekim Fehmiu ka luajtur në role kryesore në më shumë se 50 filma, në Evropë, Shtetet e Bashkuara, Afrikë e Azi. Ai u bë i njohur me filmat “Edukimi i Posaçëm”, “Skuadra Partizane”, ndërsa famën më të madhe në ish-Jugosllavi e arriti me filmin “Mbledhësit e Puplave” i cili u xhirua në vitin 1967. Kritikët e filmit thanë se Bekim Fehmiu shkëlqeu në filmin “Odisea”, ku luajti përkrah aktores së njohur Irena Papas, ndërsa ka luajtur në shumë filma edhe me yje të tjerë botëror si John Huston, Ava Gardner, Sharlon Azbavuro, Richard Crena, etj. Bekim Fehmiu i dha fund lojës në skenën jugosllave në vitin 1987, në shenjë proteste ndaj qasjes së pushtetit të atëhershëm ndaj shqiptarëve.