Ai njihet si një prej figurave më potente të historisë bashkëkohore, ndërsa pak ditë më parë poeti prezantoi dokumentarin që iu kushtua jetës dhe kalvarit të vuajtjeve që kaloi në emër të së vërtetës.
JETA DHE VEPRA E DAUT GUMENIT
Daut Gumeni është cilësuar si poeti që mbushi qelitë e burgjeve me këngët e lirisë. Ai lindi më 11.03.1943 në Gusmar, Tepelenë në një familje me tradita atdhetare. Në vitet 1957-1961 mbaroi me rezultate të shkëlqyera shkollën pedagogjike ”Pandeli Sotiri” në Gjirokastër. Që në shkollë i shfaqi idetë e tij kundër ideologjisë komuniste. Në këto vite filloi të shkruajë poezi e të konfrontohej me skematizmin e letërsisë së realizmit socialist. Në vitet 1961-1967 punoi si mësues i matematikë-fizikës në rrethin e Tepelenës. Ishte 24 vjeç, kur, në vitin 1967, arrestohet për agjitacion e propagandë kundër Partisë e Pushtetit Popullor dhe për 23 vjet e gjysmë, vuajti dënimin e rreptë të të burgosurit politik, deri në vitin 1990. Një nga kryeakuzat ishte se kishte shkruar poezi reaksionare: antikomuniste e antisocialiste. Pas viteve ’90 ai ka punuar në disa poste të ndryshme shtetërore.