Majlind Lazimi, i cili u shkarkua nga posti i drejtorit të Postës para tre ditësh, ka kallëzuar ministren e Ekonomisë, Milva Ekonomin. Lazimi ka bërë kallëzim për “Shpërdorim detyre” ndaj Ekonomit, ndërsa ka kërkuar që urdhri i shkarkimit të shpallet i pavlefshëm, pasi sipas tij nuk ka asnjë motivacion.
Gjatë një prononcimi për median, Lazimi tha:
“Sot kam bërë një denoncim për kallëzim penal në adresë të Ekonomit, që është si pasojë e një urdhri të paligjshëm për shpërdorim detyre. Kjo është arsyeja përse unë kam ardhur sot në Prokurorinë e Përgjithshme.
Nëse unë kam kryer një shkelje, do ishte e drejtë të jepet arsyeja. Shkarkimi është pa motivacion, pa argumentim. Është e nevojshme të jepej një arsye qoftë logjike, nëse jo ligjore.
Sot nuk ka asnjë administrator të rekomanduar, që nga e premtja është shkaktuar një dëm i madh ekonomik.
Të shpallet urdhri i pavlefshëm.”
Ndërkohë Ministrja e Ekonomisë Milva Ekonomi në një reagim tha se është në zbatim të detyrave që i jep ligji.
“Kam të drejtën që më jep ligji për emërime dhe shkarkime edhe për shoqëritë anonime. Jam në zbatim të detyrave që më jep ligji”, është shprehur ministrja.
/ Tirana Today/