Ministrat teknik në qeverinë e riformatuar, duket se nuk do t’iu lënë asnjë mundësi punonjësve të Administratës Publike të bëhen pjesë e fushatës zgjedhore.
Madje, në këtë kuadër edhe lejet vjetore të parashikuara në Kodin e Punës, janë pezulluar.
Ministrja e Financave ka nxjerrë sot urdhërin sipas së cilit, nëpunësit, funksionarët dhe punonjësit e ministrisë si dhe të instuticioneve të varësisë që përfitojnë pushime vjetore të paguara, për sigurimin e vijueshmërisë së punës, u ndërpritet leja vjetore për periudhën 25 maj 2017 deri me 30 qershor 2017, që përkon me periudhën e fushatës zgjedhore.
Kështu, punonjësitë e Ministrisë së Financave e të institucioneve të varësisë si, Tatime e Dogana do të duhet që këtë vit të riplanifikojnë lejen e tyre vjetore, nëse kanë planifikuar për t’i kryer ato në periudhën 25 maj deri në 30 qershor.
Por edhe ata që kanë nisur tashmë pushimet do të duhet t’i ndërpresin ato dhe të rikthehen në punë.