Bashkia e Tiranës ka përfituar të ardhura të kënaqshme nga biletat e parkingjeve publike në kryeqytet.
Sipas të dhënave të raportuara nga Agjencia Tirana-Parking, gjatë periudhës Janar-Mars 2017, rezulton se janë regjistruar në total një shifër prej 95.263 biletash, të cilat u përkasin 8 shesheve publike.
Konkretisht bëhet fjalë për Sheshin Dinamo, Infosoft, Asllan Rusi, Avni Rustemi, Diga e Liqenit, Qyteti Studenti, Piramida dhe Sheshi te Shkolla Kosova, tre të fundit janë hapur përkatësisht në muajin Shkurt dhe Mars, shkruan Scan-TV.
Sipas këtyre të dhënave, muaji më produktiv ka qenë Shkurti, i cili arrin shifrën më të lartë të biletave të shitura: plot 35,135 bileta.
Nëse e llogarisim me një vlerë mesatare prej 100 lekësh një biletë, vetëm të ardhurat e krijuara në këtë periudhë arrijnë në 9.5 milion lekë, ndërsa gjatë gjithë vitit 2016 në sheshe janë shitur në total 303.093 bileta parkimi.
Të ardhurat nga parkingjet publike janë parashikuar të rriten edhe më tej, pasi së shpejti priten të hapen dy parkingje me hapësira të konsiderueshme si ai i Sheshit Skënderbej dhe parkingu nëntokësor në Bulevardin e Ri të Tiranës.