Burime për “Tirana Today” bëjnë me dije se prej të paktën dy javësh biznesmeni Ylvi Beqjas po ruhet nën masa të rrepta sigurie.
Zyra për Mbrojtjen e Dëshmitarëve të Drejtësisë ka vendosur të shtojë masat e sigurisë për biznesmenin dhe familjen e tij.
Policia ka dyshime se jeta e Ylvi Beqjas, mund të ishte në rrezik nga të pandehurit apo persona të tretë, të cilët kanë interes të drejtpërdrejtë për çështjen në fjalë.
Mësohet se në bazën ku Beqja mbahet në ruajtje, qëndrojnë forca të shumta speciale dhe policie, për të shmangur çdo kontakt të tij me persona që mund të përbëjnë rrezik potencial për të.
Ylvi Beqja, është dëshmitari kyç kundër Emiljano Shullazit dhe të pandehurve, Gilmando Dani, Endrit Qyqja, Endrit Zela dhe Blerim Shullazi.
Pesë të pandehurit akuzohen për gjobëvënie ndaj biznesmenëve, Ylvi Beqja, Jani Zaka e Adriatik Kërçuku, shkatërrim të pronës me tritol, krime të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe kërcënimin e profesor Mynyr Konit.