Një student 22-vjeçar vizitoi një ekspozitë arti, ku la një ananas. Ruairi Gray, 22 vjeç, e la frutin, të cilin e kishte blerë 1 paund, mbi një tavolinë. Kur u kthye ditën tjetër, ai nuk mund t’u besonte syve: nëpunësit e ekspozitës i kishin vënë një xham për ta mbrojtur këtë “vepër arti”.
“Pashë një hapësirë boshe të një vepre arti dhe lashë një ananas. Doja të shihja sa gjatë do të rrinte aty dhe nëse njerëzit do e besonin se është një vepër arti. Erdha më vonë dhe pashë që i kishin vënë një xham mbrojtës ananasit. Është gjëja më qesharake që mund të kem parë”, tha studenti.
Nëpunësit e kanë hequr menjëherë kur e kuptuan gafën që kishin bërë, ndërsa fotot tashmë janë bërë virale.
“Nëse dikush kërkon ta blejë këtë vepër arti, pranoj oferta”, tha Ruairi për Dailymail.