Nesër në orën 17:00 të pasdites do të mbahet raundi i katërt për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës.
Vendimi për seancën u mor sot në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, menjëherë pas mbylljes së punimeve të Kuvendit, që përfundoi edhe raundin e tretë pa asnjë kandidat të propozuar.
Në seancën plenare, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, apeloi kryeparlamentarin Meta të reflektojë.
Ultimatumi ndaj tij ishte i qartë: “Ose LSI bashkon votat me PS për zgjedhjen e Presidentit, ose vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme”.
Ndër të tjera, Ruçi paralajmëroi Metën se PS i ka 71 votat, edhe pa aleatin e saj qeverisës, për të zgjedhur Presidentin e ri të Republikës. Deputeti i PS-së theksoi se pavarësisht kësaj, PS nuk do të donte kurrsesi që të shkelte mbi moralin e një force politike.