Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, i ka “tërhequr veshin” kryeministrit Rama, duke i thënë se deklaratat për bashkim kombëtar midis Shqipërisë dhe Kosovës minojnë stabilitetin në Ballkan.
“Qeveria e Shteteve të Bashkuara mbështet sovranitetin e Kosovës dhe Shqipërisë. Por, jemi kundër deklaratave për bashkim midis këtyre dy vendeve, sepse kjo cenon dhe minon stabilitetin e rajonit të Ballkanit dhe rrugëtimin evropian të të dyjave vendeve”, tha Lu për BIRN.
Ky qëndrim i ambasadorit Lu, vjen pas deklaratës së kryeministrit Rama, në një intervistë për “Policito Europe”, në të cilën theksoi se nëse Bashkimi Evropian mbyll dyert për Ballkanin, Shqipërisë dhe Kosovës nuk u mbetet gjë tjetër, veçse të bashkohen me njëra-tjetrën. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë për “Evropa e Lirë”. Ndërsa, kryeministri Musfata i cilësoi të dyja si deklarata populiste.
Kjo solli edhe reagimin e vetë Beogradit, Bashkimit Evropian dhe, tani, së fundmi, të ambasadorit amerikan Donald Lu, i cili i kërkon kryeministrit Rama të jetë më i kujdesshëm në të tilla deklarata.