Kadri Veseli theksoi sot, gjatë fjalës së tij në Forumin Ekonomik të Prodhuesve Shqiptarë, se ekonomia ka nevojë për një fillim të ri me vizion strategjik transformues.
Gjatë këtij Forumi, i cili po mbahet në Pejë, kreu i Kuvendit të Kosovës tha se zhvillimi ekonomik është shumë i rëndësishëm, në një kohë kur Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia përbëjnë vendet me numrin më të madh të të papunëve.
Teksa foli për gjendjen e ekonomisë në Kosovë, Veseli tha ndër të tjera:
“Derisa konsumojmë maksimalisht produktet e huaja, ne prodhojmë fare pak ose aspak. Në të njëjtën kohë kemi papunësinë më të madhe në rajon dhe ndoshta në Evropë, e në të njëjtën kohë kemi mungesën më të madhe të fuqisë së kualifikuar punëtorë për tregun e punë.
Kosova ka nevojë për një fillim të ri, i cili njeh progresin e arritur, por nuk pranon deformimet dhe degradimet që vijnë nga mosdija apo qëllimi i ngushtë përfitues i grupeve të ndërlidhura të burokratëve e tregtarëve, që krijojnë konkurrencë jolojale, deri në monopole.
Kosova ka nevojë të domosdoshme për vizion strategjik transformues. Kjo do të ndihmonte edhe politikën dhe politikanët e errësuar në luftën e tyre vetëm për pushtet dhe hendekun e marrjes me vetveten.
Kjo gjendje duhet të ndryshojë shpejt dhe vendi duhet transformuar. Kosova shtet me ekonomi prodhuese, e jo konsumuese. Kalimi nga vend supermarketesh, në një vend fabrikash. Nga një vend fermerësh të vegjël, që mezi mbijetojnë, në një vend që konkurron në tregjet e huaja me prodhimet e veta bujqësore. Nga një vend, ku rritja ekonomike vjen nga investimet publike, në një vend ku zhvillimi buron nga sektori privat, prodhues dhe minerar. Ku të rinjtë marrin përgjegjësitë e tyre, jo vetëm për të gjetur punë, por për më tepër të aftë të krijojnë punë dhe vende pune”.
Gjithashtu, Veseli nënvizoi nevojën e bashkëpunimit ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë, i cili duhet thelluar me vepra dhe jo me fjalë:
“Këmbimet tregtare duhet të shumëfishohen në mes Kosovës dhe Shqipërisë. Partneritetet biznesore Kosovë-Shqipëri janë mundësi e mirë për të ndërtuar kompani të fuqishme, të cilat do të rrisin fuqinë eksportuese të vendeve tona. Zhvillimi ekonomik është rruga e vetme për të kaluar nga një shoqëri që eksporton jashtë njerëz dhe para, në një shoqëri që eksporton produktet e saj, idetë inovative dhe shembullin e një shteti që funksionon”.