Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, duke folur për një kërcënim të mundshëm ndaj kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, shpjegoi se elementë të brendshëm dhe të jashtëm kërkojnë të destabilizojnë vendin.
“Siguria e aktorëve kryesorë politikë sidomos në situata shumë të tensionuara politike, që mund të eskalojnë në tensione sociale, është një element shumë serioz. E dyta, asnjëherë nuk duhet të neglizhojmë faktin që nuk kemi vetëm miq, por ka edhe mjaft aktorë, të cilët punojnë dhe synojnë dhe investohen për të destabilizuar Shqipërinë, për të destabilizuar rajonin. Duhet të mos neglizhojmë dhe të mos mendojmë që nuk ekzistojnë tentativa të tilla. Fakti i sigurisë të liderit të opozitës; mund t’ju them vetëm këtë (pasi nuk mund të hyj sot në detaje, sepse është çështje shumë e ndjeshme), tashmë është duke u konsideruar dhe unë besoj se do të konsiderohet me seriozitet nga agjencitë kryesore ligjzbatuese në vend”, u shpreh Nishani për “Ora News”