LSDM-ja premton zhbllokimin e procesit për zgjedhjen e kryetarit të ri të institucionit ligjvënës dhe votimin e Qeverisë së re. Sipas tyre, shumica e re, deri tani, është sjellë në mënyrë të arsyeshme, kurse askush nuk do të mund të pengojë hapin e ardhshëm të tyre, si grup i koordinuar prej 67 deputetësh.
“Kemi edhe plan, edhe strategji, dhe në një kohë shumë të shkurtër, shumica në Kuvend do ta marrë përgjegjësinë dhe detyrimin edhe për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, edhe për zgjedhjen e Qeverisë së re reformuese dhe vlerësojmë se kjo është gjëja më e mirë edhe për qytetarët. Planin nuk mund ta bëjmë publik në këtë moment, në interes të të gjithë qytetarve, por ajo që ne do të bëjmë është në përputhje me Kushtetutën, me rregullativën ligjore dhe rregulloren e Kuvendit”, – deklaroi Lupço Nikollovski (LSDM).
VMRO-DPMNE ka reaguar menjëherë, duke kundërshtuar kërkesat e përbashkëta të partive shqiptare për formimin e Qeverisë së re dhe çdo iniciativë të shumicës së re.
“Populli nuk lejon as formimin e Qeverisë tiranase dhe as realizimin e platformës tiranase. Popullit nuk i interesojnë faturat e Zaevit. Për këtë LSD-ja është në panik. LSD-ja është e vendosur që faturat e saj t’i paguaj me shitjen e interesave më të larta shtetërore. Për këtë populli është në këmbë. Populli po zgjohet” – thanë nga VMRO-DPMNE.
Partia e Gruevskit kërkon zgjedhje të reja, alternativë kjo e hedhur poshtë nga të gjithë partitë e tjera parlamentare. Për tre javë rresht, deputetët nuk arritën të votojnë për Komisionin për Zgjedhje dhe Emërime dhe për Kryetarin e ri të Kuvendit, pika, të cilat shumë pak kanë qenë temë debati.