Kreu i Komisionit të Senatit për Shërbimet e Armatosura, John McCain do të vizitojë të enjten Kosovën, ndërsa të premten Shqipërinë, në sajë të turit të tij Ballkanik.
Mësohet se senatori do të takojë krerët e shtetit. Në agjendën e tij përfshihen një sërë takimesh me presidentin Nishani, kryeministrin Rama, kreun e Kuvendit Meta, kreun e opozitës Basha, ministrin e Jashtëm Bushati dhe ministren e Mbrojtjes Kodheli.
Vizita e McCain përkon me kohën kur vendi ynë është pushtuar nga kriza politike, ndaj pritet që ai t’u japë një mesazh për dialog të dyja palëve.
Gjithashtu, ai do të diskutojë në lidhje me bashkëpunimin dhe rolin e Shqipërisë për çështjet e sigurisë dhe luftën globale kundër terrorizmit e ekstremizmit, si edhe partneritetin me Shtetet e Bashkuara.
Të hënën, kreu i Komisionit për Shërbimet e Armatosura ishte në Beograd, ku u takua me presidentin Vuçiç, ndërsa ndalesat e radhës janë Maqedonia, Kosova dhe Mali i Zi.