Ish-kryeministrja britanike, Margaret Thatcher, lindi si Margaret Hilda Roberts, më 13 tetor të vitit 1925, në Grantham, Angli. E njohur me nofkën “Zonja e Hekurt”, Thatcher shërbeu si kryeministre e Britanisë gjatë viteve 1979-1990. E bija e një biznesmeni lokal, ajo u arsimua në gjimnazin e vendlindjes “Grantham Girls’High School”. Familja e saj zotëronte një dyqan ushqimesh, dhe të gjithë jetonin në një apartament mbi biznesin e tyre.
Në vitet e hershme të saj, Thatcher u njoh me politikën konservatore nga babai i saj, i cili qe anëtar i këshillit bashkiak të qytetit. Një studente e mirë, ajo u pranua në Universitetin e Oksfordit, ku studioi kimi në Somerville College. Politikisht aktive që në rininë e saj, Thatcher shërbeu si presidente e Shoqatës Konservatore në universitet.
Ajo u diplomua për kimi në vitin 1947, dhe vazhdoi të punojë si hulumtuese në Colchester dhe më pas në Dartford. Dy vjet pas diplomimit, Thatcher garoi për herë të parë për një post publik. Ajo konkuroi si kandidate e konservatorëve në Dartford, në zjedhjet parlamentare të atij viti. Margaret ishte që në fillim e ndërgjegjshme se do të qe gati e pamundur të fitonte përballë Partisë Laburiste në pushtet, që e kishte bastionin e saj atë zonë. Gjithësesi, fitoi respektin e kolegëve në parti me fjalimet e saj. Ndonëse humbi, Thatcher nuk u dekurajua, duke u përpjekur sërish vitin e ardhshëm, por prapë përpjekjet e saj qenë të pasuksesshme.
Dy muaj pas humbjes së radhës, ajo u martua me Denis Thatcher. Në vitin 1952, la politikën mënjanë për një farë kohe, për të studiuar jurisprudencë. Bashkëshortët Thatcher u bënë me dy fëmijë binjakë, vitin që pasoi, Carol dhe Mark. Pas përfundimit të trajnimit, Thatcher u kualifikua si avokate, në vitin 1953. Por nuk do të qëndronte për shumë kohë larg skenës politike, dhe në vitin 1959 fitoi një vend në Dhomën e Komuneve, duke përfaqësuar Finchley.
Dukshëm një grua në rritje, emërohet anëtare e nënsekretarit për pensionet dhe sigurimet shoqërore në vitin 1961. Kur Partia Laburiste mori kontrollin e qeverisë, ajo u bë anëtare e atij që quhet Kabineti Hije, një grup liderësh politikë, të cilët do të mbanin poste qeveritare, kur partia e tyre të ngjitej në pushtet.
Gruaja e parë kryeministre e Britanisë
Kur konservatorët u rikthyen në pushtet, në qershor të vitit 1970, Thatcher u emërua sekretare e shtetit për arsimin dhe shkencën, dhe u quajtur “Thatcher, hajdutja e qumështit”, pas vendimit të saj për anulimin e skemës universale për furnizimin falas me qumësht të fëmijëve në shkolla. Ajo e gjeti veten në një pozitë të vështirë, jo dhe aq për shkak të kritikave të ashpra nga ana e të gjithë shtypit për vendimet e saj, por për marrëdhëniet e vështira me kryeministrin Edward Heath, që nuk para i merrte parasysh idetë e saj.
E pakënaqur me të ardhmen e grave në politikë, Thatcher u shpreh: “Nuk mendoj se do jem ndonjëherë kryeministre” – gjatë një interviste televizive në vitin 1973. Koha tregoi se ishte nxituar. Teksa Partia Konservatore humbi pushtetin në vitin 1974, Thatcher u shndërrua në një figurë dominuese në partinë e saj. Ajo u zgjodh kryetare e Partisë Konservatore në vitin 1975, duke mundur pikërisht ish-eprorin e saj në qeveri Heath. Me këtë fitore, Thatcher bëhet gruaja e parë lidere e opozitës në Dhomën e Komuneve.
Ndërkohë Anglia ishte zhytur në një periudhë trazirash ekonomike dhe politike, me qeverinë gati në faliment, papunësinë në rritje dhe shtimin e përplasjeve me sindikatat. Ky destabilitet ndihmoi rikthimin e shpejtë të konservatorëve në pushtet, në vitin 1979. Si drejtuese e partisë, Thatcher hyri në histori në majin e vitit 1979, kur u mandatua dhe votua si kryeministrja e parë grua e Britanisë së Madhe.
Thatcher luftoi recesionin ekonomik në vend, duke rritur fillimisht normat e interesit për të kontrolluar inflacionin. Ajo është e mirënjohur për shkatërrimin e industrive tradicionale të Britanisë, përmes sulmeve ndaj sindikatave të punës si: unioni i minatorëve, dhe për privatizimin masiv të banesave sociale dhe të transportit publik. Një nga aleatët e saj të patundur qe presidenti amerikan Ronald Reagan, edhe ai një konservator. Që të dy ndanin filozofitë politike të krahut të djathtë, pro korporatave të mëdha.
Thatcher u përball me një sfidë ushtarake gjatë mandatit të saj të parë. Në prill të vitit 1982, Argjentina pushtoi ishujt Falkland. Ky territor britanik kishte qenë prej kohësh një mollë sherri mes dy kombeve. Thatcher dërgoi trupat britanike për të rimarrë ishujt, në atë që u bë e njohur si Lufta Falklands. Argjentina u dorëzua në pak javë, në qershor 1982.
Gjatë mandatit të saj të dytë në vitet 1983- 1987, Thatcher menaxhoi një numër konfliktesh dhe krizash, njëra prej të cilave prodhoi edhe një atentat ndaj saj, në vitin 1984. Në një komplot të organizuar nga Ushtria Republikave Irlandeze (IRA), ajo u mendua të vritej nga një bombë e vendosur në Konferencën Konservatore në Brighton, në tetor të atij viti.
E patrembur dhe e padëmtuar, Thatcher këmbënguli që konferenca të vazhdonte, ndërsa mbajti një fjalim të nesërmen. Sa i përket politikës së jashtme, ajo u takua me udhëheqësin sovjetik Mikhail Gorbaçov, në vitin 1984. Po atë vit, nënshkroi një marrëveshje me qeverinë kineze mbi të ardhmen e Hong Kongut.
Dorëheqja dhe trashëgimia kontradiktore
Pas fitimit të një mandati të tretë qeverisës në vitin 1987, Thatcher u përpoq të zbatojë një program standard mbi sistemin arsimor dhe ndërmarrë ndryshime radikale në sistemin e sigurimit shendetësor. Megjithatë, ajo humbi një pjesë të mirë të mbështetësve pas përpjekjeve për të vendosur një taksë fikse vendore, çka çoi në protesta publike dhe shkaktoi përçarje edhe brenda partisë së saj.
Në fillim ajo rezistoi, por në fund u dorëzua para presionit nga ana e anëtarësisë së partisë, dhe dha dorëheqjen në 22 nëntor 1990. Pa kaluar shumë kohë, zgjidhet në Dhomën e Lordëve, si Baronesha Thatcher e Kestevenit. Shkroi 3 libra në lidhje me përvojën e saj si një udhëheqëse botërore, por edhe një grua pioniere në fushën e politikës.
Vitet e fundit u tërhoq tërësisht nga jeta publike për shkak të problemeve shëndetësore, ndërsa vdiq në 8 prill 2013, në moshën 87-vjeçare. Politikat dhe aksionet e Thatcher vazhdojnë të debatohen ende sot, si nga kritikët, ashtu edhe mbështetësit e saj, duke ilustruar kësisoj mbresat e pashlyeshme që “Zonja e Hekurt” ka lënë në Britani dhe mbarë botën.
“Biography.com”
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce