Një ngjarje e rëndë është shënuar pak pas mesnatës në Tiranë ku një 18-vjeçare është vetëplagosur me armë zjarri. Policia tha se ngjarja ndodhi në një hotel në zonën e Saukut. Lidhur me këtë ngjarje janë arrestuar 2 shtetas dhe janë shpallur në kërkim 3 të tjera pas kanë fshehur ngjarjen dhe kanë prishur provat.
“Më datë 14.02.2026, rreth orës 00:15, në spital është paraqitur e plagosur me armë zjarri shtetasja N. K., 18 vjeçe, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Nga veprimet e shpejta hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Jetës dhe Pronës, si dhe nga këqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë, rezultoi se ngjarja ka ndodhur në ambientet e një subjekti në Sauk, ku 18-vjeçarja dyshohet se është vetëplagosur me armë zjarri.
E dëmtuara është transportuar në spital nga shtetasja Mirvete Rexhmati(Gjuta) dhe shtetasi E. Gj., 24 vjeç.
Lidhur me ngjarjen u arrestuan në flagrancë shtetasit Vladimir Gjuta 46 vjeç dhe Mirvete Rexhmati(Gjuta), 48 vjeçe, për veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit S. Gj., 49 vjeç, dhe E. Gj., 24 vjeç, për veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, si dhe shtetasi E. Gj., 22 vjeç, për veprat penale “Moskallëzim i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Armëmbajtja pa leje””, bëri me dije policia.
Këta shtetas dyshohet se kanë prishur provat në vendin e ngjarjes dhe nuk kanë kallëzuar krimin.
Vijon puna për gjetjen dhe sekuestrimin e armës së zjarrit të përdorur në ngjarje, si dhe për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të rastit.















